6 javë nga zgjedhjet, ende pa marrëveshje për qeverinë e re

Pavarësisht faktit që para një jave KQZ-ja shpalli rezultatet përfundimtare për zgjedhjet e 6 tetorit, certifikimi i tyre pritet të shtyhet edhe më tej. Rrjedhimisht, zvarritje pritet të ketë edhe drejt marrëveshjes finale dhe krijimit të institucioneve të reja. Përfaqësuesit e partive, të cilat po diskutojnë rreth harmonizimit të programeve, thonë se zvarritja nuk po vjen nga ta, por nga procedurat teknike të KQZ-së, shkruan sot gazeta “Zëri”.

Është bërë një javë prejse LVV-ja dhe LDK-ja kanë përmbyllur ciklin e diskutimeve në kuadër të grupeve punuese. Megjithëkëtë, ende nuk është mbajtur ndonjë takim në kuadër të nivelit politik, gjegjësisht ndërmjet kryetarëve të partive përkatëse.

Meqë Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka obliguar KQZ-në për rinumërim të 1472 vendvotimeve, procesi deri te certifikimi i rezultateve është shtyrë edhe më tej. PZAP-i gjithashtu ka obliguar KQZ-në që votat e ardhura nga Serbia t’i largojë nga rezultati përfundimtar. Si rrjedhojë e kësaj tre kandidatë për deputetë të LVV-së kanë dorëzuar ankesë në Gjykatën Supreme, shkruan tutje “Zëri”.

Të njëjtën gjë e ka bërë edhe një kandidat i LDK-së, pasi me largimin e votave të ardhura nga Serbia ai mbetet jashtë ulëseve të Kuvendit. Zyrtarë të këtyre subjekteve thonë se zvarritja drejt marrëveshjes nuk po vjen nga partitë e tyre, por nga procedurat teknike të KQZ-së.