7 ekipe nga Superliga, licencohen për UEFA

Përmes një njoftimi të botuar sot në faqen zyrtare të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) është bërë e ditur se shtatë skuadra të Superligës së Kosovës janë licencuar për garat e UEFA-së.

Feronikeli, Prishtina, Llapi, Drita, Trepça’89, Ballkani dhe Gjilani – janë skuadrat që kanë aplikuar dhe të gjitha kanë fituar të drejtën prë gara evropiane.

FFK ka shqyrtuar dokumentacionet prej datës 2 deri më 10 maj për të dhënë këtë vendim, ndërsa procesi i licensimit të ekipeve kosovare për garat e sezonit 2019/20 të UEFA-së kishte filluar që nga data 1 shkurt 2019.

Nga Kosova në gara të UEFA-së çdo sezon shkojnë dy skuadra. Kampioni siguron pjesëmarrje në fazën kualifikuese të Ligës së Kampionëve, ndërsa fituesi i Kupës në Europa Ligë. Në rast se fituesi i Kupës nuk është licensuar, atëherë në Europa Ligë shkon nënkampioni i sezonit 2018/19.

Në finale të Kupës aktualisht vend kanë siguruar Feronikeli-Trepça’89. (Nga TopSporti.com)