9 vite nga legjitimimi i pavarësisë së Kosovës

Më 22 korrik 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë shpalli verdiktin se, Pavarësia e Kosovës është legjitime dhe e drejtë dhe nuk bie ndesh me të Drejtën Ndërkombëtare.

Në shënimin e kësaj date historike për Republikën e Kosovës, Presidenti Hashim Thaçi ka deklaruar se “U bënë nëntë vjet nga vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila konfirmoi të drejtën tonë për shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Kjo ishte fitorja më e madhe ndërkombëtare e Republikës së Kosovës, e cila i hapi rrugë forcimit të subjektivitetit ndërkombëtar dhe vulosi përjetësisht të drejtën tonë për vetëvendosje. Ky vendim ka trasuar rrugën për anëtarësimin e Kosovës në NATO, BE dhe OKB.”

Kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj këtë datë e ka quajtur si një nga datat më të rëndësishme të shtetësisë së Kosovës. “Ky vendim historik për vendin, konfirmoi themelet e pavarësisë tonë, të sovranitetit të shtetit dhe integritetit territorial. Për koicidencë, një ditë para vendimit të GjND-së, më 21 korrik, unë u thirra në Hagë, në procesin e dytë gjyqësor. Sot, kur sërish thirrem në Hagë, në këtë përvjetor të nëntë, Kosova është më e fortë se kurrë, si shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik, i pandashëm dhe i përkushtuar në rrugën euro-atlantike”, ka deklaruar Haradinaj.