A do të dënohen partitë politike për fushatën e nisur para kohe

Fushata elektorale në vend fillon zyrtarisht më 25 shtator. Por, për partitë politike dhe kandidatët për deputetë ajo tashmë ka filluar, dhe po zhvillohet në degë bastione, rrjete shoqërore dhe me qytetarë anekënd vendit.

Edhe shumica e kandidatëve për deputetë i kanë bërë tashmë publik numrat me të cilët kandidojnë në këto zgjedhje. E të gjitha këto veprime po i bëjnë duke qenë të lirë, pasi që me Ligjin për zgjedhje nuk është paraparë sanksionim i këtij veprimi.

Mulë Desku, kryesues i sekretariatit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa në një intervistë për Gazeta Blic ka treguar se si është e rregulluar kjo me ligj.

“Me nenin 33 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme (LZP-së) janë të sanksionuara Veprimet e Ndaluara të Subjekteve Politike, ku në mënyrë të qartë thuhet se gjatë periudhës së fushatës që nënkupton fushatën zyrtare të zgjedhjeve, subjekteve politike, mbështetësve ose kandidateve të tyre ju ndalohet bërja e fushatës zgjedhore. Në LZP nuk është përfshirë sanksionimi i fushatës para fillimit të fushatës zyrtare të zgjedhjeve e që nënkupton se PZAP-i nuk mund të caktoj dënime lidhur me këto aktivitetet që po bëjnë subjektet politike në këtë kohë. PZAP-i, mund te caktoj dënime për veprimet e ndaluara sipas nenit 33. te LZP-se vetëm gjate periudhës se fushatës zyrtare zgjedhore” ka deklaruar Desku.

Edhe monitoruesja e zgjedhjeve në DnV Agnesa Haxhiu ka sqaruar se nuk ka sanksione për subjektet politike sa i përket para fushatës.

“Listat me emrat e kandidatëve të subjekteve politike që garojnë në këto zgjedhje janë dorëzuar javën e kaluar në KQZ dhe Komisioni Qendror Zgjedhor sot i ka certifikuar ato dhe normalisht publikimi i tyre nga ana e kandidatëve nuk përbën shkelje ligjore sepse ato tashmë janë publike. Në anën tjetër, subjektet politike që do të garojnë në këto zgjedhje kanë filluar fushatën ndonëse zyrtarisht ajo fillon me 25 shtator dhe do të zgjas 10 ditë ashtu siç ka vendosur KQZ. Mirëpo ligji për zgjedhjet e përgjithshme dhe rregullat e tjera zgjedhore nuk e rregullojnë ‘para fushatën’ dhe për më tepër nuk parashihen sanksione për subjektet politike”, ka thënë Haxhiu.

Që nga rënia e qeverisë Haradinaj partitë politike në vend kanë filluar fushatën elektorale dhe ditët e fundit shumica e partive politike kanë bërë publik edhe emrat e kandidatë për deputetë.

Që nga rënia e qeverisë Haradinaj partitë politike në vend kanë filluar fushatën elektorale dhe ditët e fundit shumica e partive politike kanë bërë publik edhe emrat e kandidatë për deputetë.