I pyetur se a ka ndonjë kusht AKR për të qenë pjesë e Qeverisë, Makolli pohoi se në këtë situatë askush nuk duhet të parashtroj kushte.

“Nëse do të ketë të mandatuar për formimin e Qeverisë, ne do të japim kontributin tonë për formimin e Qeverisë, kuptohet konform rregullave legjislative dhe Kushtetutës. Asnjë parti që do të bëhet pjesë e qeverisë eventuale, në këtë situatë që gjendemi nuk duhet të parashtroj kushte maksimalisht, gjegjësisht nuk duhet të keqpërdoret kjo gjendje për të kërkuar diçka, çka nuk është pandan me realitetin ndërpartiak. Kosovën duhet ta kemi mbi të gjitha”, theksoi Makolli.

Ndryshe, pas rrëzimit të Qeverisë Kurti, presidenti Thaçi është konsultuar me liderët e partive, e më pas ka kërkuar nga Lëvizja Vetëvendosje që të propozojë mandatarin për formimin e Qeverisë, përkundër tri letrave që Thaçi i ka dërguar LVV-së, nga kjo parti ende nuk ka pasur përgjigje për emrin e mandatarit./Telegrafi/