A do të ketë pagesë shtesë Agim Veliu pasi u emërua koordinator kundër terrorizmit

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e mbajtur sot, ka emëruar Agim Veliun koordinator Nacional për Parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Luftimin e Terrorizmit.

Më këtë vendim, ai do të kryejë detyrat dhe përgjegjësitë e përcaktuara për koordinimin, bashkërendimin, monitorimin dhe raportimin e implementimit të politikave, aktiviteteve dhe veprimeve lidhur me çështjet e luftimit të terrorizmit dhe kundër ekstremizmit të dhunshëm.

Lidhur me këtë emërim, Qeveria përmes një njoftimi për media ka sqaruar se Veliu nuk do të ketë pagesë shtesë e as kabinet të tij.

“Qeveria e Republikës së Kosovës, në mbledhjen e mbajtur sot, e ka emëruar ministrin e Punëve të Brendshme, Agim Veliu, Koordinator Nacional për Parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Luftimin e Terrorizmit. Ky emërim nuk nënkupton assesi se është krijuar një pozitë e re. Në detyrën e koordinatorit ai nuk do të ketë as staf të ri, as pagesë shtesë”, thuhet në njoftimin e Qeverisë. /Telegrafi/