A do të përfitojnë nga Pako Emergjente punëtorët pa kontrata?

Ministri i Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi, përmes një shkrimi ka treguar detaje për Pakon Emergjente të Qeverisë dhe si do të përfitojnë kategori të caktuara nga kjo pako.

Bislimi ka shkruar se si do të përfitojnë edhe punëtorët që nuk kanë kontrata të rregullta pune, apo nuk kanë fare kontrata.

“Ky lloj i angazhimit merr dy forma, ose punëtorët punojnë pa kontrata të vlefshme, por punëdhënësi i paguan rregullisht kontributet pensionale dhe obligimet tatimore; ose punëtorët angazhohen komplet në “të zezën””, ka shkruar Bislimi.

Sipas tij, punëtorët në rastin e parë që nuk kanë kontrata, por iu paguhen kontributet personale, për këtë fazë mjafton informacioni që punëdhënësi i ka paguar kontributet pensionale.

Kurse për ata që punojnë “në të zezën”, Qeveria iu ka mundësuar punëdhënësve që të fusin këta punëtorë në listën e tyre të pagave për muajin amrs dhe t’u japin kontrata njëvjeçare.

“Pastaj me efekt të menjëhershëm, këta punëtorë bëhen pjesë e përfitimeve nga pakoja (pika 1.14 e pakos). Në rast se nuk ndodh kjo, qeveria inkurajon punëmarrësit që të raportojnë statusin e tyre në administratën tatimore të Kosovës”, thuhet ndër të tjera në shkrimin e ministrit Bislimi.