A i beson Hashim Thaçi përvojës së Skender Hysenit

Koordinatori Shtetëror për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Skender Hyseni, pas kryeministrit Avdullah Hoti, ka njoftuar edhe presidentin Hashim Thaçi për atë që u bisedua javën e shkuar në Bruksel.

Thaçi, sipas njoftimit nga Zyra e Presidentit, ka mirëpritur emërimin e Hysenit në këtë post.

“E kam mirëpritur emërimin tuaj si koordinator për dialogun, sepse besoj fuqishëm në eksperiencën dhe qasjen tuaj gjithëpërfshirëse e përafruese mes gjithë spektrit politik në vend”, u shpreh presidenti Thaçi.

Kreu i shtetit, sipas njoftimit, ritheksoi se në Bruksel duhet të dialogohet vetëm për marrëveshjen përfundimtare që sjellë njohjen reciproke ndërshtetërore.

“Presidenti Thaçi dhe koordinatori Hyseni kanë ritheksuar se krijimi i unitetit politik është përcaktues për suksesin në procesin e dialogut”, thuhet në njoftim./koha/