A i dha leje Kadri Veseli Enver Hoxhajt për zgjedhjen e kryetarit të ri?

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj ka folur për bisedat e tij me ish-kryetarin e partisë, Kadri Veselin gjatë kohës sa ky i fundit po qëndron në paraburgim ne Hagë.

Hoxhaj në Pressing të T7 ka thënë se bisedat me Veselin janë kryesisht të karakterit human dhe se nuk diskutojnë për vendime brenda partisë, përfshirë këtu edhe zgjedhjen e kryetarit të ri.

“Me Veselin kam biseduar para dy-tre javësh. Bisedat me zotrin Veseli janë të karakterit human, si ke kaluar, si e ke pasë ditën. Nuk ka ndonjë komunikim për atë se çfarë vendime të marrim në PDK perfshirë edhe zgjedhjen e kryetarit të ri. Me zotrin Veseli Kemi folur edhe pas rezultatit zgjedhor, edhe gjatë zgjedhjeve. Por asnjëherë me Thaçin dhe Veselin nuk kemi komuniku në rrafshin e asaj që të marrim këshilla politike”, ka thënë Hoxhaj.

Tutje ai tha se përveç tij, as të tjerët nuk kanë bërë biseda të tillë me ish kreun e partisë së tyre.

“Nuk ka njerëz të tjerë brenda kryesisë së PDK-së të cilët me zotrin Veseli apo zotrin Thaçi koordinohen për vendimmarrje politik, mjerisht jo. Ata janë në gjykatë, dihet edhe karakteri i një telefonate të tillë. Brenda PDK-së asnjë njeri serioz nuk e konfirmon një gjë të tillë”, tha Hoxhaj./Express/