A ka të drejtë Osmani ta mandatojë Kurtin si kryeministër?

Zgjedhjet e 14 shkurtit arritën të sjellin një “tërmet” politik në Kosovë.

Por ende nuk ka përfunduar procesi i plotë i numërimit të votave, që më pas duhet certifikuar nga KQZ-ja. Kosova tash përballet me formimin e qeverisë dhe pas kësaj edhe me sfidën për zgjedhjen e presidentit.

Këto zgjedhje nxorën fituese LVV-në, ndërsa LDK-ja ishte ajo e cila pati rënien më të madhe ndonjëherë në zgjedhje.

Por, pavarësisht kësaj, reagimet pas rezultateve të zgjedhjeve vazhduan të jenë prezent, ndërsa që posti i presidentit vazhdon të jetë po ashtu shumë e përfolur.

Por para se të vendoset për postin e presidentit, lind pyetja se a do të duhet që fillimisht të formohet qeveria e më pas të zgjidhet presidenti apo anasjelltas.

Kushtetuta e Kosovës e përcakton qartë se presidenti i Kosovës  duhet të zgjidhet me të paktën 61 vota në raundin e tretë nëse dështojnë dy të parat, ndërsa, në seancë duhet të marrin pjesë të paktën 81 deputetë. Presidenti i ri duhet të zgjidhet brenda afatit prej 60 ditësh nga dita e fillimit të procedurës së zgjedhjes, ndërsa nëse ky proces dështon atëherë vendi në mënyrë automatike shkon serish në zgjedhje.

Në lidhje se a do të mundet u.d e presidentit, Vjosa Osmani të dekretojë qeverinë e ardhshme, ka folur edhe Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani.

Hasani tha se Osmani do ta ketë mandatin e saj prej 6 muajsh dhe se gjatë kësaj kohe mund ta dekretojë Qeverinë e re.

Nëse Qeveria e re nuk zgjidhet gjatë mandatit të caktuar të Osmanit, atëherë fillimisht partitë politike duhet ta zgjedhin presidentin, pastaj të vazhdojnë me dekretimin e qeverisë.

“Presidentja Osmani mund ta dekretoj edhe qeverinë e ardhshme. Nëse në supozim zgjedhjet kryhen mirë dhe përfundojnë brenda 6 muajve, atëherë Osmani mund të vazhdoj me procedurat dhe çdo gjë është në rregull. Nëse Qeveria e re nuk zgjidhet brenda 6 muajve, atëherë duhet të zgjidhet njëherë presidenti, pastaj të vazhdohet Qeveria”, u shpreh ai në një debat televiziv.

Edhe njohësit e çështjeve juridike kanë komentuar zgjedhjen e presidentit dhe formimin e qeverisë së re.

Ata u shprehën që Osmani ka kompetenca kushtetuese ta propozojë kandidatin për kryeministër dhe se kushdo që ushtron postin e presidentit, ka të drejtën e plotë të dekretojë kryeministrin e ardhshëm.

Ndër të tjera IKD u shpreh që fillimisht duhet të emërohet presidenti, pastaj të formohet qeveria e Kosovës.

Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), thotë që në bazë të hierarkisë së institucioneve të Kosovës dhe mënyrës së projektuar Kushtetuta e Kosovës, del se pas konstituimit të Kuvendit të Kosovës, duhet të pasojë procesi i emërimit të Presidentit të Kosovës, për të vazhduar me formimin e qeverisë.

Gjithashtu, Miftaraj thotë që në të kaluarën Kosova ka formuar qeverinë para presidentit por që kjo praktikë mund të ndryshohet nga Gjykata Kushtetuese, nëse potencialisht atakohet nga partitë opozitare nëse e vlerësojnë.

“Në bazë të hierarkisë së institucioneve në Kosovë dhe mënyrës se si është projektuar Kushtetuta e Kosovës, del se pas konstituimit të Kuvendit të Kosovës, duhet të pasojë procesi i emërimit të Presidentit të Kosovës për të vazhduar me formimin e qeverisë. Edhe pse në të kaluarën Kosova ka ndërtuar praktikë të formimit të qeverisë para emërimit të Presidentit, një qasje e tillë nuk është kontestuar në Gjykatë Kushtetuese, që nënkupton se kjo praktikë mund të ndryshohet nga Gjykata Kushtetuese nëse potencialisht mund të atakohet nga partitë opozitare nëse e vlerësojnë”, potencon Miftaraj.

Ndërkohë që pritet certifikimi i rezultatit të zgjedhjeve në Kosove një tjetër debat është ndezur mes partive politike dhe njohësve të ligjeve e kushtetutës. Pyetja është: Kush duhet të zgjidhet i pari Kryeministri apo Presidenti?

Për këtë çështje, juristi Kushtrim Palushi u shpreh se Kushtetuta e Kosovës nuk e përcakton radhën se cili duhet të zgjidhet i pari.

“Pavarësisht që Kushtetuta ka përcaktuar hierarkinë institucionale, ku në radhë të parë vihet Kuvendi, më pas Presidenti, edhe pas presidenti vihet qeveria, kjo kushtetutë nuk ka përcaktuar radhën se se cili prej këtyre organeve duhet të zgjidhet i pari”, u shpreh ai në Euronews Albania.