A mjaftojnë votat për Qeverinë LVV-LDK, pasi NISMA të hyjë në Kuvend?

Vendimi i PZAP-së për heqjen nga rezultati përfundimtar të votave të ardhura nga Serbia ka vështirësuar tej mase themelimin e Qeverisë nga partitë e deritashme opozitare Lëvizja Vetëevendosje dhe Lidhje Demokratike e Kosovës.

Me zyrtarimin e kalimit të pragut prej 5% nga NISMA dhe hyrjen e kësaj partie me 6 deputetë në Kuvendin e Kosovës, do të ketë rikonfigurim të përgjithshëm të fuqisë së subjekteve politike.

Lëvizja Vetëvendosje do të ketë tre deputetë më pak nga numri aktual duke ngelur në 29 deputetë, Lidhja Demokratike e Kosovës do të ketë një deputet më pak nga numri aktual duke ngelur në 28 deputetë. Koalicioni LVV-LDK do të ketë 57 deputetë, numër ky që është i pamjaftueshëm për të themeluar Qeverinë.

Për arritjen e numrit prej 61 deputetësh, aq sa janë të nevojshme për themelimin e Qeverisë, Koalicioni LVV-LDK duhet të zgjerohet edhe me subjekte tjera apo me deputetë tjerë.

Marrë parasysh qëndrimin kategorik të LVV-së dhe LDK-së kundër koalicionit me PDK dhe Listën Serbe, atëherë në opcion mbeten AAK, NISMA dhe deputetët e komuniteteve joshumicë joserb.