Çajin e zi e shijoi. Edhe me muhabet duket se kaloi mirë në shoqëri të këtyre të moshuarve prizrenas.
Por është një masë që është obligative që prej 6 korrikut, të cilën i pari i shtetit, Hashim Thaçi, nuk po e vë në zbatim, por maskën asesi ta vendosë.
Rregullin e theu edhe kur bashkëbisedoi me studentët e të gjitha komuniteteve të Prizrenit, pasi që pa pajisje mbrojtëse ndaj COVID-19, Thaçi bëri homazhe edhe tek varri i Adem Demaçit.
Ngjashëm e përkujtoi edhe policin e rënë në detyrë para nëntë viteve, Enver Zymberin, edhe pse këtu të gjithë të pranishmit e patën nga një të tillë.
Maskë nuk pati as kur shkoi për ngushëllime me rastin e vdekjes së biznesmenit Latif Kryeziu.
Pa maskë shefi i shtetit të hënën e priti në kabinetin e tij dhe koordinatorin shtetëror për dialogun me Serbinë, Skënder Hysenin.
Shembullin e nikoqirit e ndoqi edhe mysafiri.
Thaçi njëjtë u pa në takim edhe me kryeministrin Avdullah Hoti të premten, por jo edhe vet kryeministri Hoti.