A mund të shpallet punonjësi i OKB-së persona non grata?

Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë, nuk e ka komentuar vendimin e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, për shpalljen e punonjësit të saj person të padëshirueshëm (persona non grata).

Në fillim të këtij viti, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Gutteres, kishte theksuar se një gjë e tillë “nuk është e zbatueshme për personelin e Kombeve të Bashkuara”, duke reaguar ndaj vendimit të qeverisë së Somalisë e cila e shpalli “të padëshirueshëm”, përfaqësuesin e posaçëm të OKB-së atje, Nicholas Haysom, raporton Zëri i Amerikës.

“Siç thuhet në Konventën e Vjenës të vitit 1961 mbi Marrëdhëniet Diplomatike, doktrina për personat e padëshirueshëm, zbatohet për marrëdhëniet diplomatike dypalëshe ndërmjet shteteve. OKB-ja nuk është shtet dhe personeli i saj nuk është i akredituar në vendet ku ata janë të vendosur, por punojnë nën përgjegjësinë e Sekretarit të Përgjithshëm “, thuhej në reagimin që mban datën 4 janar të këtij viti.

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, tha të premten se ka kërkuar nga ministria e Jashtme që shtetasi rus, Mikhail Krasnoshchenkov, punonjës i Misionit të Kombeve të Bashkuara të shpallet person i padëshiruar. /Zëri i Amerikës/