A mund të themelohet Qeveri e re pa shkuar në zgjedhje?

Dorëheqja e sotme e kreut të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, nga posti i Kryeministrit të Kosovës, ka zënë në befasi pjesën më të madhe të spektrit politik në vend.

Haradinaj dha dorëheqje nga pozita e Kryeministrit, pas thirrjes që i është bërë atij për t’u marrë në pyetje nga Gjykata Speciale.

“Përgjegjësia tani kalon te Presidenti për të filluar konsultat për të caktuar datën e zgjedhjeve”, tha Haradinaj, në deklaratën e tij të dorëheqjes.

Por a mund të themelohet Qeveri e re pa patur nevojë që të shkohet në zgjedhje të parakohshme?

Neni 95 i Kushtetutës, në pikën 5 parashesh që “Nëse Kryeministri jep dorëheqjen ose për arsye të tjera, posti i tij/saj mbetet i lirë, Qeveria bie, dhe Presidenti i Republikës së Kosovës, në konsultim me partitë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën në Kuvend, mandaton kandidatin e ri, për të formuar Qeverinë.”Pika 3 e po këtij neni të Kushtetutës precizon se “Qeveria konsiderohet e zgjedhur nëse merr shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës. 

Pra, Kushtetuta e Kosovës i ofron mundësinë Kuvendit të Kosovës që të tentojë të arrijë të sigurojë numrin e nevojshëm prej 61 votash (nga gjithsej 120 deputetë) me qëllim të zgjedhjes së Kryeministrit të ri dhe themelimit të Qeverisë së re për pjesën e mbetur të mandatit të Kuvendit të Kosovës, pa pasur nevojë që të shkohet në zgjedhje të reja. .

Por cilat janë gjasat reale të ndodhë një gjë e tillë?

Kuvendi i Kosovës në përbërje të saj ka 120. Grupi Parlamentar më i madh është ai i LDK-së me 25 deputetë, e prirë nga ajo e PDK-së me 23 deputetë, LVV-së me 19 deputetë, AAK-së me 12 deputetë aq sa ka edhe PSD-ja. Grupi Parlamentar i Listës Serbe përbëhet nga 10 deputetë, ajo e Nismës Socialdemokrate ka 8 deputetë (duke llogaritur edhe deputetin Milaim Zeka i cili ditë më parë ka dhënë dorëheqje nga kjo parti), Grupi Parlamentar 6+ ka 6 deputetë, Alternativa dhe AKR kanë nga 2 deputetë dhe SLS ka një deputet.

Cilat janë opsionet?

Qeveria “PAN”: Partnerët e koalicionit aktual (PDK, AAK, NISMA dhe komunitetet joshumicë) mund të arrijnë marrëveshje të re politike, dhe me një kandidat tjetër për Kryeministër të vazhdojnë bashkëqeverisjen deri në fund të mandatit të Kuvendit të Kosovës.

Qeveria “PDK – LDK – Komunitetet joshumicë”: Qeveria e re fare lehtë mund të krijohet me votat e LDK-së, PDK-së, dhe 16 deputetëve të komuniteteve joshumicë duke llogaritur se në çdo formulë të re (si kategori kushtetuese) do të jenë pjesë e shumicës së re parlamentare duke arritur kështu numrin e mjaftueshëm prej 64 deputetësh.

Qeveria “PDK – PSD – NISMA – Komunitetet joshumicë”: Zëvendësimi i AAK-së nga PSD në koalicioni aktual qeverisës është një tjetër mundësi përmes së cilës mund të evitohej shkuarja në zgjedhje.

Qeveria “PDK – LVV- PSD – NISMA”: Megjithëse është vështirë e realizueshme, ekziston mundësia e themelimit të shumicës parlamentare prej deputetëve shqiptarë, me ç’rast bashkimi i PDK-së, LVV-së, PSD-së dhe NISMA’s do të mund të 62 votat e nevojshme për themelimin e Qeverisë së re.

Qeveria “PDK – PSD – NISMA – Alternativa – AKR – Komunitetet joshumicë”: PDK mund të tentojë themelimin e Qeverisë së re edhe duke lënë jashtë saj subjektet politike si LDK, LVV e AAK. Edhe në këtë rast ajo mund të sigurojë numrin e mjaftueshëm prej 64 deputetëve për të themeluar Qeverinë e re.

Bazuar në Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese me numër K0103/14 të datës 1 korrik 2014, Presidenti Republikës i propozon Kuvendit kandidatin për Kryeministër të nominuar nga partia politike ose nga koalicioni që ka numrin më të madh të vendeve në Kuvend.

P.S. Perdorimi i termave “parti politike ose koalicion”, nenkupton partine politike ose koalicionin qe eshte regjistruar sipas Ligjit per Zgjedhjet e Pergjithshme, merr pjese si subjekt zgjedhor, eshte i perfshire ne fletevotim te zgjedhjeve, e kalon pragun dhe, rrjedhimisht, fiton vende ne Kuvend.