A po e synon Trump ndarjen e Kosovës në verën e 2020-ës; flasin ekspertët amerikanë

Emërimi i Mattew Palmer si përfaqësues special i Sekretarit Amerikan të Shtetit për Ballkanin Perëndimor po shihet si një rritje e interesit amerikan për një zgjidhje sa më të shpejtë të problemit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Megjithatë sipas analistit amerikan, Daniel Serwer, synimet amerikane edhe përkundër emërimit të Palmer janë ende të pa qarta, shkruan Gazeta Express.

Serwer thotë se emërimi i tij tregon rritjen e interesit amerikan, dhe shpërfaq nxitimin e Washingtonit për të zgjidhur çështjen e Kosovës para zgjedhjeve presidenciale në SHBA që do të mbahen më 2020.

“ Pas emërimit , unë do të shpresoja për një politikë më të qartë të SHBA-së për shkëmbimin e territoreve dhe për një koordinim më të mirë me Evropën. Por kam frikë se kjo është një tendencë për të nxituar drejt arritjes së një marrëveshje përpara nëntorit të vitit 2020 kur edhe mbahen zgjedhjet presidenciale”, ka thënë Serwer, profesor në Universitetin “John Hopkins”, për Zërin e  Amerikës në gjuhën serbe , transmeton Gazeta Express.

Tutje Serwer thotë se ka shumë çështje të hapura sa i përket rinisjes së dialogut Kosovë-Serbi dhe arritjes së një zgjidhje të shpejtë.

Për ekspertin amerikan duhet pritet përfundimi i zgjedhjeve dhe krijimit të qeverisë së re në Kosovë.

Në anën tjetër, profesori Edward Joseph, thotë se emërimi i Mattew Palmer është i rëndësishëm për disa aryse.

Një nga to sipas tij është përpjekja e SHBA’së për të treguar rritje të interesit dhe përkushtim në Ballkan.

“Emërimi i një përfaqësuesi special nuk është një vendim i lehtë për t’u marrë. Qëllimi është që ai të flas si përfaqësues dhe të ketë respekt më të madh pasi që do të flas direkt në emër të Sekretarit të Shtetit. Është e qartë që tregon qëllimin e SHBA’së për të pasur ndikim sa më të madh në rajon, dhe me siguri për të pasur një zgjidhje të problemit të Kosovës, ndër të tjera”, ka thënë ai, transmeton Gazeta Express.

Joseph thotë se Palmer është një diplomat i aftë dhe i përkushtuar, dhe i aftë për dinamikën me të cilën po zhvillohen ngjarjet në Ballkanin Perëndimor.  Sipas tij ai mund të jetë shumë i dobishëm për jetësimin e qëllimeve të SHBA’së.

Megjithatë një çështje problematike që shtrohet është se cilat do të jenë qëllimet e administratës aktuale të SHBA’së dhe a  do të bëhet ndonjë përpjekje për një zgjidhje përmes idesë së korrigjimit të kufijve dhe shkëmbimit të territoreve.

“A është për të shpejtuar përpjekjet për të arritur një zgjidhje të rrezikshme për ndarjen e Kosovës? Nëse po si do të adresohen aspektet negative të kësaj ideje. Po në lidhje me paralajmërimet publike, jo vetëm nga ekspertë si unë por edhe nga zyrtarë të vendeve fqinje në rajon se ata do të duhet të jetojnë me pasojat e një zgjidhje të tillë . Si do të tejkalohet kundërshtimi nga disa vende, veçanërisht nga Gjermania?” pyet eksperti për Ballkanin.

Për një kthim të idesë së ndarjes së Kosovës ditë më parë ka ngritur shqetësime edhe deputeti i Parlamentit Evropian, Eduard Kukan, në një intervistë për EWB.

“Unë pres që çështja e njohjes së Kosovës përmes idesë së shkëmbimit të territoreve do të kthehet prapë. Sido që të jetë, ajo mund të destabilizojë fqinjët e Bosnje e Hercegovinës” ka thënë Kukan teksa ka treguar kundërshtinë e tij për një ide të  tillë të prekjes së kufijve. / GazetaExpress/