A votuan Abdixhiku e Quni për koalicionin e LDK-së me AAK dhe Nisma?

Ministri në detyrë i Infrastrukturës dhe Ambientit, Lumir Abdixhiku, nuk ka marrë pjesë në votimin e Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së për një koalicion të mundshëm me AAK, Nisma-AKR dhe komunitetet.

Kjo pyetje iu dërgua anëtarëve të KP-së së LDK-së nga kryetari Isa Mustafa në rast se i jepet mandatari për formimin e qeverisë së re.

“Nuk kam marrë pjesë në votim. Për qëndrimin tim, nuk mund të flas tani”, ka thënë Abdixhiku për klankosova.tv.

Po ashtu, klankosova merr vesh se edhe ministri i Mbrojtjes në detyrë, Anton Quni, nuk ka marrë pjesë në këtë votim.

Nga 124 anëtarë aktualë të Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së janë përgjigjur 114 anëtarë të KP, prej tyre 108 janë shprehur për (po), 6 janë shprehur kundër (jo) dhe 10 nuk janë përgjigjur.