Abdixhiku ka disa fjalë për Gazmend Muhaxherin e Agim Veliun pas përplasjes së fundit

Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka komentuar përplasjen ndërmjet dy prej figurave më të rëndësishme të LDK-së, Gazmend Muhaxherit e Agim Veliut.

Abdixhiku tha se ka kërkuar prej anëtarëve të LDK-së që të përmbahen nga deklarimet publike.

“Unë i kam kërkuar të gjithëve anëtarëve që të përmbahen prej deklarimeve në publik kundër njerëzve tanë. Nuk na shërbejnë, nuk na bëjnë mirë dhe krijojnë një atmosferë të panevojshme, tensionuese brenda LDK-së. Po bëj thirrje sot që të bashkohemi, cdo anëtarë, na pret një rrugë e gjatë, vendimet janë të vështira por tempon e kemi marrë në rrugë të drejtë”, tha Abdixhiku në Debat Plus.

Tutje ai i ka ftuar të gjithë anëtarët e LDK-së që të qëndrojnë bashkë pavarsisht mendimeve që mund t’i kenë të ndryshme.

“Të mos merremi mes vete, këto debate t’i bëjmë në strukturat tona. Janë njerëz të të njejtës shtëpi. Kohë e energji s’kemi të merremi me njëri tjetrin. Nuk na shërbejnë, i ftoj që të qëndrojnë bashkë pavarisht mendimeve që mund t’i kenë të ndryshme, kjo s’na bën të ndryshme njëri prej tjetrit sepse i kontribojmë tri shkronjave që i kemi bashkë”, tha Abdixhiku.

Muhaxheri kishte deklaruar se Veliu u imponua për pozitën e Ministrit të Brendshëm gjatë Qeverisë Kurti 1, derisa Veliu ka thënë për Muhaxherin se është i instaluar në LDK si një “kali i Trojës”.