Agim Aliu: Mos bini pre e mashtruesve që thirren në emrin tim

Kryetari i Komunës së Ferizajit, Agim Aliu, përmes një postimi në profilin e tij në rrjete sociale u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos bien pre e mashtruesve që thirren në emrin e tijë.

“Nuk qëndroj prapa askujt, asnjëherë dhe për asnjë çmim, që duke keqpërdorur emrin tim, dikush të kërkoj nga ju, favore, para apo ndikime”, ka shkruar Aliu, duke kërkuar njëkohësisht që qytetarët t’i denoncojnë në organet e rendit rastet e tilla.

Ky është postimi i plotë i Kryetarit të Komunës së Ferizajit, Agim Aliu:

Të dashur bashkëqytetarë!

Jemi dëshmitarë se sot gjithësecilit prej nesh mund t’i keqpërdoret emri personal dhe autoriteti. Në fakt, edhe figura ime publike, emri dhe autoriteti im është atakuar dhe po lakohet në disa drejtime nga dashakeq për të përfituar për veten e tyre financiarisht dhe favore të caktuara. Kjo fushatë po zgjat tash e sa kohë e së fundi është intensifikuar sidomos në rrjete sociale, nga individë e grupe të ndryshme.

Në lartësinë e pikës më të fortë të qeverisjes sime, moralit e ndershmërisë sime, zero tolerancës ndaj korrupsionit dhe keqpërdorimeve, pastërtisë financiare, nderit dhe detyrimit që kam ndaj besimit ndermadh që ju më dhatë ta drejtoj qytetin, ju them sinqerisht se unë, nuk qëndroj prapa askujt, asnjëherë dhe për asnjë çmim, që duke keqpërdorur emrin tim, dikush të kërkoj nga ju, favore, para apo ndikime.

Korrupsioni është kanceri i shoqërive të sotme, që brenë e vranë shpresën tek të gjithë ne. Edhe unë, jam i pakompromis në këtë luftë, me gjithë forcën time reaguese, që buron nga tradita ime familjare dhe besimi që ju më dhatë.

Unë qeverisë një qytet prej mbi 100,000 banorëve, në jetën time publike kam takuar mijëra qytetarë, por kjo nuk i jep askujt dhe asnjëherë të drejtën të keqpërdorin për përfitimet e tyre, autoritetin dhe imazhin tim publik. Në këtë pikë, kërkoj që duke shtuar kujdesin, të më mbani të njoftuar si dhe të distancoheni dhe denonconi tek përgjegjësit, rastet e tilla.

Qytetarë, biznese dhe ju dashamirë të ecjes përpara të qytetit tonë, ju lus nga thellësia e zemrës dhe forca e karakterit tim, që t’i denonconi rastet ku hasni në këto forca të errëta që synojnë përmbysjen e përparimit tonë! Pa ju, kjo luftë është shumëfish më e vështirë, bashkë mund t’ia dalim, jam i sigurt.