Agim Bahtiri tregon pse iu bashkua Vetëvendosjes

Kryetari i Mitrovicës së Jugut, dikur anëtar nga AKR, Agim Bahtiri, ka treguar arsyet pse i është bashkuar Vetëvendosjes.

Në Analizën Zgjedhore ai tha se i kishte konsultuar qytetarët e Mitrovicës rreth vendimit për të kaluar në Vetëvendosje, ndërsa sqaroi edhe pse nuk iu është bashkuar listës së Vetëvendosjes, njofton Klan Kosova.

”Prej ardhjes time në jetën time jam munduar të bëjë të mirë në këtë vend. E mira është kur e ke popullin me veti. Pata fatin të jem shërbëtor i qytetarëve të Mitrovicës dhe ata më orientojnë se cila është rruga më e mirë, dhe vendimi për të kaluar nga AKR në VV ka qenë vendim i qytetarëve të Mitrovicës”.

”I kam pyetur qytetarët, strukturat e AKR-së dhe secili prej tyre më ka thënë ‘’po’’. Komplet struktura e AKR-së përveç një personi ka mbetur në AKR, dhe krejt struktura ka qenë me Agim Bahtirin dhe e kanë pritur me një entuziazëm të jashtëzakonshëm. Jemi duke bërë fushatë derë më derë, lagje më lagje dhe do të marrim masa më të gjera, në rrethinë të Mitrovicës dhe në komuna të tjera”.

”Nuk u futa në listë, për arsye se unë nuk i gënjejë qytetarët e Mitrovicës, ata më kanë votuar të jem kryetar i tyre dhe jo vetëm për këtë mandat por edhe shumë të tjerë deri sa ta shoh Mitrovicën ashtu siç ka dëshirë syri im”. /Klan Kosova/