Agjencia Kadastrale e Kosovës, respektivisht Kryeshefi Ekzekutiv i saj, Avni Ahmeti i shoqëruar nga bashkëpunëtorët e tij, ekspertët ligjorë, kadastralë dhe ata të teknologjisë së informacionit në AKK, ka pritur në një takim pune një delegacion gjithëpërfshirës nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës e Republikës së Shqipërisë (AShK), të prirë nga Drejtori i Përgjithshëm, Artan Lame po ashtu i shoqëruar nga bashkëpunëtorë kadastralë, ligjorë dhe të teknologjisë së informacionit.
Përmes një komunikate për media bëhet e ditur se qëllimi i këtij takimi ka qenë shkëmbimi i përvojave rreth administrimit të regjistrave pronësorë nga institucionet simotra nga shtetet respektive, pastaj identifikimi i fushave të interesit të përbashkët ku bashkëpunimi do të mund të thellohej, si dhe nënshkrimi i një memorandumi të bashkëpunimit mes institucioneve.
Gjatë takimit, përmes prezantimeve profesionale dhe debateve interaktive, ekspertët e AKK-së dhe AShK-së prezantuan aktivitetet, projektet dhe produktet aktuale, pastaj paraqitën sfidat me të cilat ballafaqohen gjatë kryerjes së punëve të përditshme, si dhe prezantuan vizionet e tyre për ngritjen e kualitetit të shërbimeve kadastrale dhe pronësoro-jurdike në veçanti dhe administrimin e tokës në përgjithësi.
Po ashtu, pas takimit të mbajtur në Agjencinë Kadastrale të Kosovës, institucion ky i nivelit qendror, dy delegacionet vizituan edhe Zyrën Kadastrale Komunale në Prishtinë, ku së bashku me drejtoreshën e kësaj zyre, Valbona Osmani Mehmetaj u prezantua trajtimi i lëndëve dhe kërkesave të ndryshme nga palë që i drejtohen Zyrave Kadastrale Komunale.
Në fund të takimit, palët u pajtuan që takimet e tilla të vazhdojnë edhe në të ardhmen, në baza të rregullta, duke njohur kështu peshën që bashkëpunimi do të kishte në ngritjen e kualitetit të shërbimeve pronësore që u ofrohen qytetarëve dhe institucioneve të të shteteve përkatëse.