Agjencioni për Mbrojtjen e Mjedisit s`ka pranuar kërkesë zyrtare për projektin në Badoc

Agjencioni për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës, nëpërmjet një sqarimi ka bërë të ditur se deri me tani nuk ka pranuar asnjë shkresë zyrtare apo kërkesë për verifikimin e vendndodhjes së lokacionit të supozuar ku është thënë se kompania ndërtimore KAWA me partner parasheh realizimin e një projekti ndërtimor.

“Sikurse është bërë e ditur edhe më herët Liqeni i Badovcit është i mbrojtur me vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës (Nr. 16/127, datë 24.04.2013) për caktimin e zonave të mbrojtura dhe masat e tyre mbrojtëse të burimit ujorë sipërfaqësor-Akumulacioni i Badovcit”, ka sqaruar AAMK-ja.

Lajmi.net, javën e kaluar ka raportuar se kompania e ndërtimit, e cila ka disa rrokaqiej në Prishtinë “KAWA Group” dhe kompania “4M Group” kanë planifikuar që të ndërtojnë një lagje të vogël me shtëpi buzë Liqenit të Badocit.

Sipas Agjencionit për Mbrojtjen e Mjedisit, nga diskutimet e deritanishme është supozuar po ashtu se zona e planifikuar mundë të shtrihet edhe në zonën e zgjeruar të propozuar për mbrojtje të Parkut të Gërmisë apo edhe në zona tjera të mbrojtura të natyrës në këtë hapësirë.

“Me qëllim të informimit të drejtë të publikut, AMMK ju prezanton hartën e shtrirjes së të gjitha zonave të përmendura më lartë, dhe ata që e dinë lokacionin potencial të ndërtimit të kompleksit të objekteve mundë të vlerësojnë ndërlidhjen dhe ndikimet potenciale të projektit në këto zona”, thuhet në sqarimin e AMMK-së.

Ky Agjencion ka bërë të ditur se për çfarëdo projekti që është në kundërshtim me shfrytëzimin e qëndrueshëm të resurseve natyrore pa marrë parasysh qëllimin duhet t’i nënshtrohet procesit të marrjes së pëlqimeve dhe lejeve paraprake dhe respektimit të dispozitave që dalin nga Ligji për Mbrojtjen e Mjedisit, Ligji për Mbrojtjen e Ujërave, Ligji për Mbrojtjen e Natyrës, Ligji për Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis, Ligji për Planifikim Hapësinorë si dhe Planet përkatëse në nivel qendror dhe lokal që rregullojnë shfrytëzimin e hapësirave të caktuara. 

Tags: ,