AGK publikon raportin “Paraja publike e shpenzuar në media”

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka publikuar sot raportin “Paraja publike e shpenzuar në media”, raport ky në kuadër të projektit të përbashkët në mes të AGK-së dhe BIRN-it.

Autorja e raportit Sihana Klisurica, tha se nga kërkesa që iu është dërguar 61 institucioneve, në mesin e tyre 21 ministri, 38 komuna, Zyra e Presidentit dhe Kuvendit të Kosovës, vetëm 35 kanë kthyer përgjigje. Kjo sipas saj tregon për mungesën e transparencës nga ana e institucioneve, njofton AGK.

“Mostransparenca dhe fshehja e informacioneve nga institucionet është tregues i qartë i ndikimit që ato kanë në mediat e caktuar. Në bazë të përgjigjeve të dërguara nga 35 institucione të nivelit lokal dhe qendror, totali i shpenzimeve në media për vitin 2018 është 598,917.71 euro”, tha Klisurica.

Elvira Berisha, anëtare e bordit të AGK-së, gjatë prezantimit të raportit tha se objektivi kryesor i këtij projekti ka qenë të shihet nëse paraja publike është shpenzuar si duhet dhe si ka ndikuar në pavarësinë editoriale të medieve.

“AGK ka vërejtur se disa institucione publike, e sidomos ministritë, kanë bërë reklama nëpër portale, por që shqetësuese është forma e reklamimit dhe përzgjedhja selektive e disa portaleve. Banerët që vërehen nëpër portale nuk tregojnë për ndonjë aktivitet të veçantë të ministrive. Nëse shtyp në banerë, atëherë lexuesi do të shkojë drejtpërdrejtë në ueb-faqen e ministrisë, dhe nuk paraqitet ndonjë punë që dëshiron të reklamojë ai institucion publik”, tha Berisha.

Të pranishmit në këtë prezantim patën mundësinë të parashtrojnë pyetje në lidhje me të gjeturat e raportit.
Projekti “Paraja publike e shpenzuar në media”, ka analizuar shpenzimet që institucioneve të nivelit qendror dhe lokal kanë bërë gjatë vitit 2018 në mediet vendore, njofton AGK.