Aksidentohet vetura me targa ruse në , zhduket shoferi

Një veturë luksoze e blinduar është përfshirë në një aksident te rrethrrotullimi i “Shqiponjës” në hyrje të Tiranës. Në aksident është përfshirë një veturë tip Mercedes “G Class” e blinduar edhe me targa të Rusisë.

Shkaqet e aksidentit janë ende të paqarta, pasi shoferi ka braktisur mjetin në mes të rrugës dhe është larguar.

Forca të policisë kanë mbërritur në vendin e ngjarjes dhe po kryejnë hetime për zbardhjen e saj. Veturës së blinduar me targa ruse po i kontrollohet dokumentacioni dhe numri i shasisë, për të zbuluar më tepër rreth vendit të origjinës. Po ashtu, policia ka ngritur disa postblloqe dhe patrulla për të krehur zonën.

Ndërkohë Policia e Shqipërisë ka dalë me njoftim zyrtar rreth aksidentit:

“Rreth orës 22:00, në afërsi të sheshit “Shqiponja” një automjet me targa të huaja me drejtues shtetasin E. D., 34 vjeç, banues në Shkodër në rrethana ende të paqarta ka dalë nga rruga. Si pasojë e daljes nga rruga është dëmtuar jashtë rrezikut për jetën vetë drejtuesi i mjetit i cili po merr mjekim në spital. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e pronësisë së mjetit si dhe të shkakut të daljes nga rruga” – thuhet në njoftimin e Policisë.