Aktakuzë kundër ish-ministres Dhurata Hoxha

Edhe një aktakuzë për korrupsion është ngritur ndaj ish-ministres së Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha, raporton Paparaci.

Ngritjen e aktakuzës ndaj ish-ministres e ka konfirmuar sot Prokuroria Speciale e Kosovës.

Prokuroria njoftoi se ka ngritur akuza për “keqpërdrim të pozitës dhe autoritetit zyrtar” ndaj Hoxhës dhe tre ish-zyrtarëve të tjerë shtetërorë.

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special, kundër katër (4) të pandehurve me iniciale F.M., Dh.H., G.D dhe E.T”, tha sot Prokuroria Speciale e Kosovës, në një njoftim për media.

Paparaci, nga burime brenda Prokurorisë së Shtetit, ka mësuar se përpos ish-ministres Hoxha, për korrupsion akuzohet edhe Fitim Mustafa, ish-drejtor i Zyrës së Prokurimit në Ministrinë e Integrimeve Evropiane (MIE) dhe Gëzim Dushi, ish-zyrtar i MIE.

Pjesë e aktakuzës është edhe ish-zyrtari shtetëror, E.T..

“I pandehuri E.T. dyshohet se ka kryer veprën penale ’Ndihmë në kryerjen e veprës penale Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’”, tha Prokuroria Speciale.

Kjo është aktakuza e dytë e ngritur mbi dyshimet për korrupsion ndaj ish-ministres Hoxha dhe Fitim Mustafës.

Rreth dy vite më parë, Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë ndaj Hoxhës dhe Mustafës për inicimin dhe nënshkrimin e një kontrate për lobim me një kompani franceze.

Sipas kësaj aktakuze, Hoxha akuzohet se gjatë kohës sa ishte ministre i kishte tejkaluar kompetencat e saj në momentin kur kishte iniciuar procedurën e prokurimit dhe kishte përcaktuar se cila procedurë e prokurimit duhej të aplikohej madje edhe kishte përcaktuar emrin e kompanisë fituese për zbatimin e kontratës.

Hoxha akuzohet se këto veprime i kishte ndërmarrë në vazhdimësi pasi me kërkesë të saj ishin vazhduar kontratat me kompaninë franceze, e të cilat buxhetit të Kosovës i kishin kushtuar qindra mijëra euro.

Për keqpërdorim të pozitës zyrtare akuzohet edhe Mustafa.

Prokuroria pretendon se Mustafa i kishte keqpërdorë detyrat e tij në momentin kur kishte kërkuar nga sekretarët e Ministrisë që ta zbatonin kërkesën e ministres Dhurata Hoxha për lidhjen dhe vazhdimin e kontratës me kompaninë franceze.

Rasti i aktakuzës së parë ndaj tyre ndodhet në gjykim. /Paparaci.com