Aktakuzë ndaj ish drejtorit të Shërbimeve Publike në Prizren

Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë kundër ish-drejtorit të Shërbimeve Publike në komunën e Prizrenit, H.H., për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Sipas aktakuzës, i akuzuari H.H., në periudhën kohore janar të vitit 2015 deri në dhjetor të vitit 2016, në cilësinë e Drejtorit të Shërbimeve Publike pa ndonjë procedurë të tenderimit në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik, Ligjin mbi Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësive, si dhe Rregulloren e Thesarit, ka lidhur kontrata me TV Opinion dhe TV Besa për reklamat e kësaj drejtorie në vlerë deri në 7000 €.

Ai këtë e ka bërë duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit, për veprën penale e cilat i vihet në barrë.

Po ashtu, gjatë ditës së djeshme për të njëjtën arsye i është ngritur aktakuzë edhe ndaj dy personave. Prokuroria ngriti aktakuzë kundër Z.A., në cilësinë e Ushtruesit të Detyrës së Drejtorit në Drejtorinë për Ekonomi dhe Financa në Komunën e Prizrenit, dhe E.S., në cilësinë e Drejtorit në Drejtorinë për Ekonomi dhe Financa në Komunën e Prizrenit, për keqpërdorim të detyrës zyrtare.