Aktakuzë ndaj komandantit policor në Zhur, kjo është arsyeja

Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë kundër Ziber Susurit, komandanti i stacionit policor në Zhur, shkruan Gazeta Sinjali.

Susuri dyshohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Ushtrim ndikimi”.

Ai dyshohet se ka ndërhyrë pa autorizim në një gjobë për kundërvajtje në trafik, duke ndryshuar nenin dhe paragrafin, e më pas edhe gjobën.

Susuri dyshohet ia ka ulur dënimin kundërvajtëses nga 200 euro në 50 euro, si dhe ia kanë kthyer patentë shoferin që i ishte konfiskuar nga policia.

Njoftimi i plotë:

Sipas aktakuzës, i pandehuri Z.S., si person zyrtar – Komandant i Nënstacionit Policor në Zhur, në dokumentin zyrtar – Fletëparaqitjen për Kundërvajtje, të datës 27.03.2021, të lëshuar kundër kundërvajtëses M.E., nga zyrtari policor V.F., dhe D.K., sipas së cilës fletëparaqitje ajo kishte bërë kundërvajtje nga neni 72.1 të Ligjit për Rregullat e Trafikut Rrugor (Ligji nr.05/L-088) dhe për të cilën kundërvajtje të njëjtës i është shqiptuar gjoba në shumë prej 200 euro, masa mbrojtëse – marrja e patent shoferit për tre (3) muaj dhe shqiptimi i një (1) pike negative, e i cili në këtë fletëparaqitje shënon të dhëna të rreme, në atë mënyrë që me datë 29.03.2021, ndërhyn në fletëparaqitje duke shënuar se kundërvajtësja ka kryer kundërvajtje nga neni 78.1, tek pjesa e gjobës ia bënë gjobën 50 euro, anulon masën mbrojtëse dhe pikën negative duke fshirë me laps-kimik, fshin edhe tek vendi ku shkruan “Dokumenti i konfiskuar”, ku ka qenë i shënuar numri i patent shoferit të kundërvajtëses, vë nënshkrimin e tij tek “Nënshkrimi i mbikëqyrësit” dhe shënon numrin e ID-së së tij, me të cilin nënshkrim vërteton këtë dokument zyrtar që përmban të dhëna të rreme”, thuhet në njoftim. /GazetaSinjali/