Aktakuzë ndaj Ministrit për kontratat me televizionet lokale

Prokuroria e Prizrenit ka ngritur aktakuzë për vepra penale që ndërlidhen me korrupsion kundër Ministrit në largim të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, për kohën sa ka qenë kryesues i Kuvendit të Komunës së Prizrenit.

Ministri Gashi gjatë periudhës për të cilën akuzohet ishte Kryesues i Kuvendit të Komunës së Prizrenit.

Ai akuzohet se gjatë vitit 2015 deri në tetor të vitit 2016, pa procedurë të tenderimit i kishte lidhur kontratat për transmetimin e seancave të Kuvendit të Komunës Prizrenit me TV “Besa” në shumë prej 250 euro për çdo seancë.

Përpos kontratës me TV “Besa”, Gashi akuzohet se ka lidhur kontratë edhe me TV “Opinion” në shumë prej 400 euro për transmetimin e seancave të Kuvendit të Komunës.

Lidhur me këto kontrata, për transmetimin e seancave të kuvendit të komunës, Komuna ka paguar në total 8.450 euro në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik, Ligjin mbi Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësive si dhe Rregulloren e thesarit për shpenzimin e parasë publike.

Prokuroria në Prizren tha se prokurori i rastit me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që Gashi të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit, për veprën penale e cila i vihet në barrë. / Kallxo.com