Aktakuzë ndaj prokurorit që kërcënoi gruan e vëllait

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka ngritur sot aktakuzë pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë-Departamenti Special, kundër të pandehurit A.M., për shkak të veprës penale “Keqpërdorim i detyrës zyrtare”.

EkonomiaOnline mëson se bëhet fjalë për prokurorin Agron Matjani, pasi i njëjti dyshohet se kishte kërcënuar kunatën (Bashkëshorten e vëllait), me ç’rast edhe ishte suspenduar nga puna.

Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë kundër prokurorit A.M., tani më i suspenduar për shkak të veprës penale “Keqpërdorim i detyrës zyrtare”, pasi që i njëjti në cilësinë e personit zyrtar – Prokuror i Shtetit në Departamentin e Krimeve të Rënda të Prokurorisë Themelore në Gjakovë, me dashje e ka keqpërdorur pozitën dhe detyrat e prokurorit, në atë mënyrë që me rastin e ngritjes së aktakuzës, në disa raste penale,  në mënyrë drastike e ka zbutur kualifikimin penal të veprës, në kundërshtim me ligjin,  ashtu që për kryesit e veprave ka siguruar dënime shumëfish më të lehta se sa e parasheh ligji për veprat penale të cilat i kanë kryer.

Rasti ishte raportuar se ka ndodhur në javën e parë të nëntorit 2018 në Prizren, ditën kur ishte mbajtur një seancë gjyqësore në të cilën prokurori Matjani e kishte përfaqësuar vëllain e tij, i cili ishte palë në këtë çështje.