Akuza të ndërsjella në mes Haskukës e QRTK-së

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka dhe Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore (QRTK), së fundi janë përfshirë në akuza të ndërsjella lidhur me gjenjen në Qendrën Historike të Prizrenit.

Haskuka në një debat televiziv kishte akuzuar QRTK-në për një sërë çështjesh problematike në Qendrën Historike të Prizrenit, akuza të cilat kishin nxitur reagimin e QRTK-së, intitucionit vartës të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, përgjegjës për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore në Komunën e Prizrenit.

Përmes reagimit të saj, QRTK akuzoi Kryetarin e Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, për mungesë të investimeve për trashëgiminë kulturore. “Z. Kryetar me ligjin për Qendrën Historike keni mjete financiare shtesë për QHP-në, dhe keni obligime.  Deri më sot, për afër 2 vite që ju jeni në krye të Prizrenit, Komuna nuk ka investuar as edhe një cent për Trashëgiminë Kulturore”, thuhet në reagimin e QRTK-së, e cila gjithashtu ofron vlerësimet e saj për të gjitha akuzat e Haskukës.

Megjithatë, reagimi i QRTK-së ka nxitur kundërreagimin e Haskukës, i cili përmes një postimi në profilin e tij në rrjete sociale ka lëshuar akuza të rënda ndaj drejtuesve të QRTK-së.

“Disa institucione që mandat e kanë mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, asnjëherë nuk kanë reaguar ndaj projekteve të qeverisjes së kaluar komunale, që pikërisht kanë qenë në kundërshtim me ligjet në kuadër të të cilave ato vetë operojnë. Këta nuk kishin asnjë reagim as ndaj uzurpimeve me konstruksione, tenda e reklama që ishin në Qendrën Historike”, shkruan Haskuka, duke përmendur edhe Projektin e Teleferikut, projektin e “betonizimit” të shtratit të Lumbardhit, reklamat dhe probleme tjera të Qendrës Historike të Prizrenit.

Qendra Historike e Prizrenit, e mbrojtur me ligj të veçantë, është duke përjetuar degradim të vazhdueshëm dhe institucionet përgjegjëse nuk kanë qenë në gjendje të tregojnë rezultate pozitive në këtë drejtim.