Alarmohet për mungesë të kapaciteteve të nevojshme humane për të luftuar COVID-19, Qeveria në heshtje

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKSHP) ka ngritur alarmin për mungesë të kapaciteteve të nevojshme për t’i dalë në ballë valës në rritje të të prekurve nga pandemia COVID-19.

IKSHP ka treguar se në kuadër të saj janë të angazhuar vetëm 22 epidemiologë duke theksuar se në kushte të zakonshme asaj i duhen edhe 17 specialistë tjerë.

Sipas IKSHP-së, aktualisht, me 362 raste, 4.795 kontakte, mbi 500 persona në karantinë dhe hyrjeve në pikat kufitare, numri i epidemiologëve që ka vendi është ekstremisht i ultë.

Përkundër kësaj, sipaskëtij institucioni, deri tani nuk ka ngecur asnjë proces pune me kaq profesionistë sa janë në dispozicion, falë gatishmërisë së tyre për të punuar pa ndalur.

 

Ky është njoftimi i plotë i IKSHP-së rreth rreth problemit me kapacitetete e kufizuara humane për të luftuar COVID-19:

Resurset humane të specializuara në epidemiologji në Kosovë.

Në IKSHPK janë 22 epidemiologë për të gjithë vendin (përfshirë të punësuarit në 6 qendrat rajonale). Ndërsa 5 epidemiologë të tjerë punojnë në QKMF (Në 5 komuna: Obiliq, Podujevë, Istog, Drenas dhe Viti).
Për nevojat bazike në një situatë të zakonshme nevojiteshin edhe 17 specialistë të tjerë. (5 specializantë për Epidemiologji për nivelin qendror dhe për çdo Qendër rajonale nga 2 specializantë).

Pse nevojiten epidemiologët? Ata kanë rol kyç në hulumtim e mbikëqyrje të rasteve e kontakteve me sëmundje ngjitëse. Metodat specifike të detektimit, hulumtimit e gjurmimit epidemiologjik, e bëjnë angazhimin e tyre gjatë pandemisë të pazëvendësueshëm.

Aktualisht, me 362 raste, 4.795 kontakte, mbi 500 persona në karantinë dhe hyrjeve në pikat kufitare, numri i epidemiologëve që ka vendi është ekstremisht i ultë.

Deri tani nuk ka ngecur asnjë proces pune me kaq profesionistë sa kemi, falë gatishmërisë së tyre për të punuar pa ndalur.

Në Qendrën Operative Emergjente punojnë 10 epidemiologë. Ata mbulojnë gjithë territorin e vendit së bashku me epidemiologët e rajoneve.

Puna e epidemiologëve konsiston në: hulumtimin e kontaktimin e të gjitha rasteve të dyshimta me COVID-19, mbikëqyrjen e hyrjeve në pikat hyrëse kufitare; mbikëqyrjen e personave të karantinuar; grumbullimin-përpunimin dhe analizën-interpretimin e të dhënave; komunikimin me popullatën me rekomandime e këshilla.

Hulumtimi: Për çdo rast që referohet si i dyshimtë në COVID-19 nga Klinika Infektive, Klinikat e tjera të QKUK, spitalet rajonale, Qendrat e Mjekësisë Familjare dhe rastet që raportohen nga terreni, menjëherë inicohet hulumtimi i rastit dhe gjurmimi i kontakteve.

Gjurmimi: Me zbulimin e kontakteve nis gjurmimi i detajuar për lëvizshmërinë e kontaktit të kontakteve në 3 javët e fundit të tyre. Kështu mbërrihet tek burimi i infeksionit (rasti 0). Ky proces ka vështirësinë maksimale dhe merr kohë.

Çdo rast që rezulton qoftë pozitiv apo negativ, i cili nuk është i shtrirë në klinikë, mbikëqyret në vazhdimësi përmes kontaktit të përditshëm, në bashkëpunim me policinë, duke iu dhënë rekomandimet për zbatimin e masave mbrojtëse dhe duke u interesuar për gjendjen e tyre shëndetësore.

Të gjitha këto informacione të marra shndërrohen në të dhëna që futen në Sistemin Alert Kosova Health, bazën e të dhënave sipas OBSH dhe bazën e të dhënave të IKShPK. Këto të dhëna përpunohen dhe analizohen për përgatitjen e raporteve të rregullta.

Çdo institucion shëndetësor dhe kryetar komune veç e veç informohet për rastet pozitive dhe negative dhe rekomandohet për ndërmarrjen e masave parandaluese dhe të kontrollit në komunat përkatëse. Informohet secila Qendër rajonale e shëndetit publik për rastet në rajonet e tyre. Raportet periodike dërgohen në institucionet ndërkombëtare (ECDC dhe OBSH).

Të dhënat e grumbulluara dhe të analizuara shërbejnë për planifikimin e terrenit për gjurmimin dhe testimin e kontakteve të afërta me rastet pozitive.