Alban Muja përfaqëson Kosovën në ngjarjen botërore të artit pamor

Në Venecia, konkretisht në Ekspozitën Ndërkombëtare të Artit në Bienalen e Venedikut, është hapur edhe Pavijoni i Kosovës, që po përfaqësohet nga profesori i artit në UBT, Alban Muja.

Muja është përzgjedhur të përfaqësojë vendin me projektin “Albumi Familjar”, punim artistik multimedial që ka të bëjë me fëmijët që janë fotografuar nga mediat e njohura në atë kohë si refugjatë.

Artisti në fjalë ka realizuar video me ata fëmijë 20 vjet pas me qëllim të përkujtimit të sfidave me të cilat janë ballafaquar refugjatët në vitin 1999, si dhe sfidat e refugjatëve të sotëm.

Me qëllim që edhe Kosova të realizojë suksesshëm pavijonin me videoinstalacionin e profesorit dhe artistit kosovar, UBT ka mbështetur në çdo aspekt dhe ka sponsorizuar pjesëmarrjen e artistit në këtë bienale.

Ndërkaq, në hapje Pavijonin e ka vizituar edhe kryeparlamentari, Kadri Veseli, i cili ka thënë se në prag të 20-vjetorit të çlirimit, zëri i Kosovës për të kërkuar drejtësi po dëgjohet në Bienalen e Venedikut përmes Alban Mujës.

“Në rrugën tonë të pakthyeshme për të kërkuar drejtësi për viktimat e luftës, një ndihmë të jashtëzakonshme do ta japin edhe Ministria e Kulturës dhe artistët, nëpërmjet paraqitjeve të tyre brenda dhe jashtë vendit”, tha Veseli.

Edicioni i 58-të i Bienales së Venedikut do të hapet për publikun me datë 11 maj dhe do të jetë i hapur deri më 24 nëntor 2019, ka njoftuar të hënën UBT-ja.