Albana Fico: Në Shqipëri qarkullojnë mutacione të COVID-19, Këto tri shenja e vërtetojnë

Drejtorja e Institutit të Shëndetit Publik në Shqipëri, Albana Fico tha për Euronews Albania se të dhënat e javës së fundit që lidhen me qëndrueshmërinë e pozitivitetit të mostrës dhe fakti që transmetueshmëria është ulur, ishin indikatorë që e çuan Komitetin e Ekspertëve drejt vendimit për lënien në fuqi të masave ekzistuese anti-COVID.

Sipas saj situata mbetet delikate, por akoma është nën kontroll dhe e adresuar mirë.

E pyetur lidhur me mostrat e dërguara në laboratorin britanik për të vërtetuar nëse mutacione të virusit po qarkullojnë në vend, znj. Fico shpjegoi se procedura deri në daljen e përgjigjes është e gjatë, ndërsa shtoi se ndryshimet që janë vënë re në sjelljen e virusit gjatë javëve të fundit janë provë se në vend qarkullojnë mutacione të COVID-19.

“E rëndësishme është të kuptojmë se ne kemi tre gjëra që i kuptojmë edhe pa përgjigjen e tyre: kemi pasur mostra të dyshuara, kemi një ndryshim në dinamikën moshore; është një tjetër element që s’e kemi parë me virusin e parë dhe së treti edhe sëmundshmëria ka ndryshuar fytyrë në disa persona. Kjo ngre më shumë dyshime për ekzistencën e tyre, por qëllimi është të ndërpritet zinxhiri i infeksionit”, tha znj. Fico.

Ajo apeloi që të vijohet me vigjilencë zbatimi i masave anti-COVID, pasi siç tha ende s’e kemi fituar betejën me virusin

“Virusit nuk kemi ç’i bëjmë në ndryshimet gjenetike që pëson, por duhet të zbatojmë masat”, tha znj. Fico.