Albin Kurti: Më ndihmoni të fitojmë me diferencë të madhe që ndryshimi të jetë i madh

Albin Kurti është propozuar tash në Këshillin e Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvenodsje, për kandidat për Kryeministër të Kosovës në zgjedhjet e 6 tetorit.

“Ka ardhur mundësia për ju që jeni lodhur duke parë që gjithçka shkatërrohet ta bëni ndryshimin. Ndryshimi është një emër, emri që kurrë s’ju ka lënë vetëm – Lëvizja Vetëvendosje. Në këto zgjedhje duhet të ndryshojmë më shumë se qeverinë, edhe shoqërinë. Me mua Kryeministër dhe me Vetëvendosjen në qeverisje do të ketë barazi në të drejta dhe mundësi”, ka thënë Kurti para delegatëve, njofton Klan Kosova.

“Mjaftë më dhe kurrë më me rrena e mashtrime. Koha juaj ka përfunduar”, iu ka drejtuar kundërshtarëve politikë Kurti.

“Koha jonë po vjen sepse kësaj here nuk do të lejojmë të vidhet shpresa për ndryshim. Ju e dini kush është ndryshimi dhe kush mund ta bëjë ndryshimin e vërtetë. Zgjedhja është e juaja por mos u mashtroni nga retorika e thatë. Mos u besoni atyre që iu kanë mashtruar vit pas viti e zgjedhje mas zgjedhjeve. Vendimi më 6 tetor do ta përcaktojë të ardhmen e brezave që vinë pas nesh”.

Ai ka kërkuar ndihmën e të gjithëve për fitore në zgjedhje.

“Më ndihmoni, më ndihmoni që të fitojmë më diferencë të madhe që ndryshimi të jetë i madh dhe fitorja të jetë masive, më ndihmoni ta ç’kapin shtetin. Më ndihmoni të ndërtojmë një të ardhme ku të gjithë do të jetojnë me dinjitet. Bashkë ama bash gjithçka është e mundur”.