Albin Kurti pritet ta ndryshojë buxhetin që ia la Avdullah Hoti

Buxheti për vitin 2021 do të shkojë edhe një herë në Kuvendin e Kosovës.

Kjo pasi që qeveria ka nisur përgatitjet për ta rishikuar atë, shkruan Gazeta Infokus.

Një gjë të tillë e ka konfirmuar për Gazetën Infokus, zëdhënësi i Ministrisë së Financave dhe Transfereve, Muharrem Shahini.

Shahin, ka thënë që rishikimi pritet të bëhet në muajin qershor të këtij viti.

“Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve është duke bërë përgatitjet për një rishikim substancial të buxhetit 2021, i cili pritet të bëhet nga mesi i vitit. Aktualisht buxheti për vitin 2021 është në ekzekutim e sipër në përputhje me Ligjin e Buxhetit për vitin 2021. Momentalisht vlen te theksohet se prioritet për qeverinë është lufta kundër pandemisë COVID-19 dhe sigurimi i jetës së qytetarëve të Kosovës”, tha për Gazetën Infokus, zëdhënësi i Ministrisë se Financave, Muharrem Shahini.
Rishikimin e buxhetit Lëvizja Vetëvendosje e kishte paralajmëruar edhe në ditën kur u votua në kuvend ky buxhet.

Në dhjetor të vitit 2020, Liburn Aliu, aso kohe ushtrues i detyrës së Grupi Parlamentar të LVV-së, kishte thënë që rishikimin do ta bëjnë sapo të formohet qeveria e re.

“Rishikimi i buxhetit mund të fillojë që nga muaji mars menjëherë pasi të formohet qeveria e re”, kishte paralajmëruar Aliu.

Kujtojmë që pasi të rishikohet buxheti nga Ministria e Financave ai procedohet në Komisionin për Financa dhe Transfere, mandej shkon në kuvend për tu votuar./Gazeta Infokus/