Albin Kurti “siguron” votat për t’u bërë kryeministër

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka njoftuar të jetë pajtuar me përfaqësuesit në Kuvendin e Kosovës të subjekteve politike të komuniteteve joshumicë që ta votojnë atë për kryeministër të vendit.

“Kryetarët e tri partive të komuniteteve joshumicë, njëkohësisht edhe deputetë të ardhshëm, zotërinjtë Rasim Demiri, Fikrim Damka dhe Albert Kinolli do ta votojnë qeverinë tonë dhe mua si kryeministër, pa kushtëzime”, ka shkruar Albin Kurti, në një postim në profilin e tij në rrjete sociale.

Kujtojmë se pas përfundimit të rinumërimit të votave gjatë ditës së sotme është konfirmuar hyrja e koalicionit NISMA-AKR-PD në Kuvendin e Kosovës.

Kjo ka bërë që LVV e cila siguron 29 vende dhe LDK e cila siguron 28 vende të arrijnë të kenë vetëm 57 deputetë, të cilat nuk janë të mjaftueshme për themelimin e qeverisë.

Në fotografinë e publikuar nga Albin Kurti shihen edhe Rasim Demiri – Kryetari i VAKAT-it boshnjak, Fikrim Damka – Kryetar i KDTP-së turke dhe Albert Kinolli – Kryetar i KNRP-së rome.

Ditë më parë pjesë e Grupit Parlamentar të LVV-së ishte deklaruar edhe Elbert Krasniqi – Kryetar i IRDK-së egjiptiane.