Aliu takoi 50 kryetarët e zgjedhur të fshatrave dhe zonave urbane, u garantoi bashkëpunimin

Ulëset e sallës së Kuvendit të Komunës ishin sot plot. Kryetarët e zgjedhur të fshatrave dhe zonave urbane, për herë të parë të zgjedhur pas një procesi demokratik e gjithëpërfshirës, erdhën në takimin e ftuar nga i pari i Ferizajt, Agim Aliu.

Ky i fundit, shoqëruar edhe nga drejtorja e Drejtorisë së Administratës së Përgjithshme, Aurora Ramadani, kishin zgjedhur ditën e sotme, që t’i urojnë kryetarët e zgjedhur si dhe t’i ofrojnë gjithë bashkëpunimin e nevojshëm për të çuar përpara zhvillimin e lokaliteteve që ata përfaqësojnë.

Në fjalën e tij, i pari i Ferizajt, Agim Aliu tha se ky takim ka karakter solemn, urim për kryetarët e zgjedhur si dhe shprehje e vullnetit institucional për bashkëpunimin në të mirë të komunitetit në zonat ku përfaqësojnë.

“Është ky takim solemn për faktin se është takimi i parë me ju si të zgjedhur kryetar të fshatrave dhe zonave urbane. Prandaj me lejoni që si Kryetar i Komunës t’ju uroj për pozitat e reja. Jam jashtëzakonisht i lumtur që kemi bërë një angazhim dhe për këtë falënderoj drejtoren dhe Drejtorinë e Administratës së Përgjithshme që ka udhëhequr procesin e zgjedhjes suaj, për kryetar dhe fakt është se kjo gjë po ndodh për herë të parë që brenda mandatit të një kryetari të bëhet përzgjedhja e të gjithë kryetarëve të zonave urbane dhe fshatrave të Komunës së Ferizajt. Me këtë, ne kemi përmbushur një obligim ligjor që na takon sepse ju e dini që mandati juaj është i lidhur me mandatin e Kryetarit të Komunës ku do të mundohem që unë si Kryetar Komune, së bashku me ju të adresojmë të gjitha ato çështje që janë adresë tek ju, dhe tek unë, por në mundësitë reale dhe më të mira të bashkëpunimit të jemi adresë e zgjidhjes së atyre problemeve. Sigurisht që ju jeni adresë e shumë kërkesave dhe të gjitha ato kërkesa ju i sjellni tek unë, dhe të zgjidhim këto probleme më të cilat preokupohen qytetarët” tha i pari i Ferizajt, Agim Aliu duke shtuar se ky takim është vendosur edhe pak ditë para fillimit të dëgjimeve për hartimin e buxhetit dhe diskutimit publik të Kornizës Afatmesme Buxhetore.

Pas fjalës së Kryetarit Aliu, përfaqësuesit e fshatrave dhe zonave urbane u shprehën falënderues për këtë takim, për procesin e rregullt zgjedhor që kanë organizuar autoritetet komunale si dhe shprehën gjithashtu edhe kërkesa të veçanta sa i përket investimeve në zonat që këta të fundit përfaqësojnë.

Në procesin e zgjedhjes së kryetarëve të fshatrave dhe zonave urbane morën afro 9000 qytetarë duke zgjedhur 50 përfaqësues të lokaliteteve në territorin e Ferizajt, për të vijuar edhe ditën e premte me zgjedhjet për kryetar të fshatit Kosinë.