Ambasada amerikane e britanike reagojnë ashpër, dënojnë dhunën e protestuesve në Tiranë

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri ka reaguar ashpër ndaj dhunës së shfaqur në protestën e fundit të subjekteve opozitare në Tiranë.

Për më tepër, Ambasada amerikane ka dënuar dhunën, sidomos hedhjen e mjeteve piroteknike nga protestuesit në drejtim të policisë, duke reaguar se ky nuk është akt paqësor dhe demokratik. Madje, ambasada i ka dërguar porosi të qartë opozitës duke u apeluar “organizatorëve të protestës të ndalojnë aktet e dhunshme dhe të angazhohen në dialog konstruktiv”.

“Ambasada e SHBA-së dënon dhunën që ndodhi gjatë protestës sonte. Grumbullimi paqësor dhe e drejta për të shprehur pakënaqësitë ndaj qeverisë janë shtylla të demokracive të shëndosha, por janë të drejta që duhen ushtruar paqësisht. Përdorimi i mjeteve piroteknike, sidomos kur vënë në shënjestër policinë, nuk është akt paqësor, është i papranueshëm dhe jodemokratik. Iu bëjmë thirrje të gjithë organizatorëve të protestës të ndalojnë aktet e dhunshme dhe të angazhohen në dialog konstruktiv”, thuhet në reagimin e Ambasadës amerikane.

Edhe Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar ka reaguar fuqishëm kundër dhunës së në protestën e opozitës me porosinë se “nuk ka vend për dhunë apo shpërthime me eksploziv në një protestë paqësore”.

Britanikët kanë bërë të qartë se organizatorët e protestës kanë përgjegjësi për të zhvillimin e protestës në mënyrë paqësore.

“Mbretëria e Bashkuar mbështet të drejtën për të protestuar në mënyë paqësore. Nuk ka vend për dhunë apo shpërthime me eksploziv në një protestë paqësore. Liderët e protestës kanë përgjegjësinë të mbajnë të sigurt dhe ligjore demonstratat dhe policia ka përgjegjësinë të reagojë në mënyrë proporcioniale për të ruajtur rendin publik” ka bërë të ditur Ambasada britanike në Tiranë, në reagimin e saj.