Ambasada e SHBA-së në Kosovë, ka reaguar pas propozimit që të shqyrtohet dhe votohet në Kuvendin e Kosovës Projektligji për mbrojtjen e vlerave të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Përmes një shkrimi në Twitter, Ambasadori amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett, ka quajtur mënyrë të gabuar veprimin për ligjin në fjalë, duke thënë se, kriminalizon fjalën e lirë.

“Ligji e kriminalizon  lirinë e shprehjes, frikëson qytetarët dhe është i kushtueshëm. Ligji largon nga përpjekjet praktike për ta kuptuar dhe mësuar historinë e Kosovës. Kur do t’i shohim partitë që të rifokusojnë energjitë e tyre në ekonomi dhe në COVID-19”, ka thënë Kossnet.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës më 14 korrik ka mbështetur këtë projektligj, duke e proceduar në kryesinë e Kuvendit të Kosovës.

Projektligji i propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës, parasheh përcaktimin e obligimit institucional dhe qytetar për mbrojtjen e vlerave të luftës së UÇK-së.

Vlerës e luftës, sipas këtij projektligji, është lufta e armatosur e popullit të Kosovës, e udhëhequr nga UÇK, vetë UÇK-ja si formacion ushtarak i armatosur, veterani i UÇK-së, flamuri, betimi i ushtarit, stema, Shtabi i Përgjithshëm, Drejtoria Politike, Shtabet e zonave operative, arkiva, si dhe Kompleksi memorial “Adem Jashari” në Prekaz dhe komplekset tjera.

Projektligji parasheh respektimin e vlerave të luftës, mbrojtje institucionale, Muzeun e Luftës, Ditën e përkujtimit të luftës për çlirim, dispozitat ndëshkimore, si dhe aktet nënligjore. Në rast se projektligji aktual për mbrojtjen e vlerave të luftës së UÇK-së miratohet në Kuvendin e Kosovë, si ligj do të ketë implikimet buxhetore prej 2 milionë e 250 mijë euro, pa i llogaritur edhe investimet për ndërtimin e Muzeut të Luftës.

Kryesia e Kuvendit të Kosovës, ka proceduar me këtë projektligj dhe ai tash i dërgohet komisionit funksional, që në këtë rast është Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini dhe Inovacion. /Telegrafi/