Ambasada e Turqisë në Shkup dënon postimin e ambasadorit të Kosovës, Dedaj

Ambasada e Turqisë në Shkup ka dënuar postimin që ambasadori i Kosovës në Shkup, Gjergj Dedaj, ka bërë në rrjetet sociale kundër Turqisë dhe presidentit Recep Tayyip Erdoğan, transmeton Anadolu Agency (AA).

Nëpërmjet një deklarate Ambasada e Turqisë në Shkup ka theksuar se dënojnë fuqishëm pretendimet e pabaza dhe retorikën armiqësore me objektiv presidentin Erdoğan që Dedaj ka përdorur në postimin e tij lidhur me memorialin që ndodhet në Parkun “Dëshmorët e 15 Korrikut” në Tiranë.

“Postimi i fundit tregon saktësinë e vendimit tonë për të mos u takuar me Ambasadorin e Kosovës në Shkup, Dedaj, i cili edhe më parë ka bërë deklarata kundër vendit tonë dhe i cili nuk është në dijeni të përgjegjësisë që i është ngarkuar nga titulli që mban”, thuhet në deklaratën e Ambasadës së Turqisë në Shkup.

Më tej theksohet se “Pritshmëria jonë nga miqtë tanë është që të tregojnë solidaritetin dhe bashkëpunimin e nevojshëm ndaj vendit tonë, në luftën e vendosur kundër organizatave terroriste, veçanërisht atë të ndërmarrë kundër FETO-s nga vendi ynë i cili ka dhënë një provë për t’u vlerësuar në mbrojtje të demokracisë”, thuhet në deklaratën e ambasadës turke në Shkup.”

Ambasadori i Kosovës në Shkup, Gjergj Dedaj, në llogarinë e tij në rrjetin social ka bërë postim lidhur me memorialin e përbërë nga një pllakatë e vendosur në Liqenin Artificial në Tiranë mbi të cilën ndodhen emrat e 251 dëshmorëve të rënë gjatë tentativës për grusht shteti të 15 korrikut 2016 në Turqi.

Duke përdorur shprehjen “Jo memorial politik, të Turqisë së Erdoganit, në Tiranë!” ai ka mbrojtur idenë e tij se në parkun në fjalë “nuk kanë vend politikat aktuale të Turqisë”.

Reagimet ndaj memorialit të dëshmorëve të 15 Korrikut në Tiranë

Gjatë ditëve të fundit në rrjetet sociale dhe në disa shkrime në media ka patur reagime kundër vendosjes së memorialit kushtuar dëshmorëve të 15 Korrikut, në parkun e ndërtuar më parë nga Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA).

Ndërkohë në mesin këtyre reagimeve u dëmtua edhe tabela treguese për rrugën e Dëshmorëve të 15 Korrikut duke u dëmtuar simbolet turke, si dhe memoriali ku janë vendosur emrat e dëshmorëve të 15 Korrikut, ku disa persona vendosën sende të ndryshme pranë memorialit.

Në lidhje me reagimet kundër memorialit dhe dëmtimet ka reaguar Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Turqi-Shqipëri ( ATTSO), si dhe Shoqata e të Diplomuarve në Turqi (TUMED).

Në njoftimin nga ATTSO thuhet se “Dënon ashpër sulmet e shëmtuara që janë bërë mbi flamujt turq që ndodhen mbi tabelat në Parkun e Demokracisë së 15 Korrikut që ndodhet në Parkun e Liqenit Artificial në Tiranë. Në këtë sulm janë copëtuar flamujt Turq dhe mosrespektimi i memorialit që mban emrat e Dëshmorëve Turq të Demokracisë është një situatë tepër e rëndë dhe e papranueshme nga ana jonë”.

“Në Shqipëri kanë ndodhur edhe më përpara sulme ndaj Simboleve Kombëtare Turke, por kësaj radhe, po shohim me keqardhje që këto sulme, sikur të ishin duke shtypur një buton të vetëm, janë provokuar nga individë dhe organizata për të cilat kuptohet se ishin të lidhur me FETO-n”, thuhet deklaratën me shkrim të kryetarit të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Shqipëri –Turqi, Fethi Kaya.

Ndërsa në reagimin e TUMED-it thuhet se “Nuk ka të drejtë askush të cenojë Flamurin Turk, Memorialin apo simbolet përkatëse të një shteti mik, ato respektohen. Shpresojmë që kjo situatë të mos jetë iniciuar dhe agravuar nga elementë të organizatës terroriste FETO, pasi sikurse e dimë kjo organizatë okulte është duke punuar për prishjen e marrëdhënieve strategjike mes dy vendeve mike, Shqipëri – Turqi. Ne si Shoqatë e të Diplomuarve në Turqi (TUMED) i bëjmë thirrje të gjithë institucioneve përkatëse të shtetit dhe të medias për zgjidhjen e kësaj situate, për gjetjen e përgjegjësve të këtyre gjesteve të turpshme”.

Memoriali u inaugurua më 15 korrik të këtij viti gjatë shënimit të përvjetorit të tretë të tentativës për grusht shteti nga organizata terroriste FETO me pjesëmarrjen e zyrtarëve të institucioneve të Shqipërisë, të institucioneve turke dhe të përfaqësuesve të shoqërisë civile në Shqipëri.

/Anadolu Agency, link: https://www.aa.com.tr/sq/ballkani/ambasada-e-turqis%C3%AB-n%C3%AB-shkup-d%C3%ABnon-postimin-e-ambasadorit-t%C3%AB-kosov%C3%ABs-dedaj/1557513/