Ambasadori i BE-së në Beograd pret marrëveshje të shpejtë me Kosovën

residenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka takuar gjatë ditës së sotme shefin e delegacionit të BE-së për Serbi, ambasadorin Sem Fabrizi, me të cilin ka folur për integrimet evropiane dhe për vazhdimin e dialogut me Kosovën.

Vuçiqi ka thënë se Serbia është e përkushtuar për bashkëpunim rajonal dhe ka shtuar se në këtë kuptim, takimi i kësaj fundjave në Ohër do të përcaktojë prioritetet e këtij bashkëpunimi me qëllim forcimin ekonomik të rajonit, është thënë në një komunikatë për media të presidencës serbe, raporton Koha.net.

Ai ka deklaruar se Serbia duhet të vazhdojë rrugën e saj evropiane dhe se është shumë i rëndësishëm bashkëpunimi i mëtejmë i BE-së për reformat si dhe për bashkëpunimin rajonal.

Ndërkaq, Fabrizi i ka dhënë mbështetje të plotë Serbisë, ndërsa ka theksuar rëndësinë e krijimit të klimës së favorshme e cila përshpejton vazhdimin e negociatave me Kosovën në kuadër të dialogut të sponsorizuar nga BE-ja si dhe arritjen sa më të shpejtë të një marrëveshjeje ligjërisht obliguese për normalizim të marrëdhënieve.