Ambasadori italian i uron mirëseardhje homologut gjerman në Kosovë

Ambasadori i Italisë në Kosovë, Nicola Orlando i ka uruar mirëseardhje, ambasadorit të ri të Gjermanisë, Jorn Rohde.

Në postimin ku ambasadori gjerman ka njoftuar se sot ka mbërritur në Kosovë, ambasadori Orlando, i ka lënë një koment duke i thënë se punën e parë që do ta bëjë në Kosovë është ajo për liberalizimin e vizave.

“Mirëseerdhët në Kosovë koleg i dashur Jorn Rohde! Unë mezi pres të punoj ngushtë me ju për përmirësimin e marrëdhënieve të shkëlqyera që kemi ndërtuar. Si partneri më i madh ekonomik dhe i sigurisë BE-ja ka shumë për të mbështetur rrugën Euro-Atlantike të Kosovës, duke filluar me liberalizimin e vizave”, i ka shkruar Orlando ambasadorit të ri, në Twitter.

Ambasadori i ri i Gjermanisë, Jorn Rohde sot ka mbërritur në Kosovë për të nisur misionin e tij diplomatik.

Rohde i cili është pasues i Christian Heldt, përmes një postimi në llogarinë e tij në Twitter, ka shkruar se ai së bashku me gruan e tij gjenden në Kosovë.

“Të dashur ndjekës, në këtë ditë të bukur unë dhe gruaja ime, Sonia Lapointe kemi mbërritur në Kosovë. Sot do t’i dorëzoj kredencialet e mia. Falënderoj Christian Heldt për mirëseardhjen e ngrohtë dhe mezi presim t’ju takojmë të gjithë”, ka shkruar Rohde. /Insajderi/