Ambasadori këtë herë merret me punë të brendshme partiake!

Ambasadori i Republikës së Turqisë në Kosovë, Çagri Sakar, ditë më parë ka marrë pjesë në ceremoninë e urimit të festës në Fitër Bajramit, organizuar nga një pjesë e strukturave të Partisë Demokratike Turke të Kosovës, KDTP.

Në ceremoninë në të cilën ka munguar lidershipi i KDTP-së, Ambasadori Sakar ka dhënë vlerësime për procesin e organizimit të zgjedhjeve të brendshme të kësaj partie.

Portali diyariturk.com, citon Ambasadorin Sakar të ketë deklaruar se “Zgjedhjet e brendshme në KDTP do të mbahen!”, duke treguar qëndrimin e tij të prerë rreth çështjeve organizative të KDTP-së, të shprehura në ceremoninë e urimit të festës së Bajramit.

Një deklarim i tillë i Ambasadorit turk, i pazakonshëm në praktikat diplomatike, vie si reagim ndaj problemeve të brendshme të shprehura së fundi në mes liderit aktual të KDTP-së, njëherësh Ministrit të Administratës Publike, Mahir Jagxhillar dhe deputetëve të këtij subjekti politik në Kuvendin e Kosovës, Fikrim Damka dhe Myfera Shinik.

Nga ana tjetër, ende nuk ka ndonjë reagim nga kreu i KDTP-së, Mahir Jagxhillar ndaj deklarimit të Ambasadorit të Turqisë në Kosovë për çështjet dhe aspektet procedurale të organizimit të brendshëm të subjekteit që ai drejton.

Partia Demokratike Turke e Kosovës (KDTP) është subjekti i vetëm politik në Kosovë i cili mbledh rreth vetes pjesëtarët e komunitetit turk në vend.

Procedurat e zgjedhjeve të brendshme të subjekteve politike në Kosovë rregullohen përmes legjislacionit të miratuar nga Kuvendi i Kosovës dhe rregullave të përcaktuara nga Komisioni Qendror Zgjedhor i Republikës së Kosovës, si autoritet i vetëm i mandatuar për themelimin dhe mbikëqyrjen e funksionimit të subjekteve politike në Republikën e Kosovës.