Ambasadori Kosnett reagon ashpër pas vendimit të Gjykatës për lirimin e Lushtakut

Ambasadori amerikan në Kosovës, Philip Kosnett ka reaguar fuqishëm ndaj Gjykatës Themelore në Prishtinë që së fundi ka liruar nga akuzat për korrupsion ish-kryetarin e Skenderajt, Sami Lushtaku.

Ai ka kritikuar qasjen e sistemit të drejtësisë duke thënë se gjykata në fjalë do të duhej të mbajë seancat dëgjimore sipas afateve të duhura kohore dhe jo pasi të kalojnë afatet ligjore për këtë rast konkret. Përveç Lushtakut, i akuzuar në këtë rast ka qenë ish-drejtori i KEK-ut, Arben Gjukaj, ish-kryetari i Organit Shqyrtues të Prokurimit, Hysni Hoxha si dhe Driton Pruthi, Azem Duraku, Esat Tahiri dhe Milazim Lushtaku.

Për këtë rast, ambasadori Kosnett ka shkruar në Twitter se “Gjykata Themelore e Prishtinës ka liruar disa persona në rastin korruptiv të KEK-ut, duke përmendur vjetërsimin e lëndës. Gjykatat duhet t’i mbajnë seancat me kohë dhe drejtësia mund të arrihet vetëm kur rastet të dëgjohen para se lëndët të vjetërsohen”, ka shkruar ambasadori i SHBA-së.