Anëtari i Bordit të Trustit shmang konfliktin e interesit

Pas konstatimit të Agjencisë Kundër Korrupsionit se anëtari i Bordit të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës, Ymer Ymeri, është në konflikt interesi duke qenë edhe person i autorizuar në një biznes privat, i njëjti ka shmangur konfliktin e interesit duke hequr dorë nga pozita e dytë. Në vendimin e Agjencisë që është publikuar këtë javë nuk tregohet se për sa kohë Ymeri ka qenë në konflikt interesi. Ai është zgjedhur anëtar i Bordit të Fondit Pensional para gati një viti nga Kuvendi i Kosovës, shkruan sot Koha Ditore.

“Z. Ymeri është emëruar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës në Bordin drejtues të FKPK-së, në cilësinë e anëtarit përfaqësues të punëtorëve. Kuvendi e ka emëruar z. Ymerin me mandat katërvjeçar, duke filluar nga 1 dhjetori 2018”, thuhet në biografinë e tij të publikuar në faqen zyrtare të Trustit.

Ymeri ka qenë i paqasshëm për gazetën të premten, ndërkohë që nga Trusti nuk kanë dhënë përgjigje lidhur me atë se për sa kohë Ymeri ka qenë në konflikt interesi. Zyrtari për marrëdhënie me publikun në Fondin Pensional, Jeton Demi, ka thënë se ata nuk kanë qenë pjesë e trajtimit të këtij rasti.

“FKPK-ja nuk ka qenë pjesë e trajtimit dhe vendimeve të tilla, ashtu sikurse nuk është në autoritetin e institucionit të komentojë vendimet e AKK-së”, ka thënë Demi.

Sipas vendimit të AKK-së, rasti i Ymerit mund të rihapet në çdo kohë kur mund të paraqiten rrethana të reja. /koha.net/