Ankthi i rrugëve të Kosovës: Nga janari 69 persona të vdekur në aksidente

Rrugët e Kosovës muajt e fundit janë kthyer në ankth për shumë qytetarë të vendit për shkak të aksidenteve të shumta që po ndodhin në to.

Vetëm gjatë periudhës janar – gusht 2019 në Kosovë kanë ndodhur 59 aksidente me fatalitet e ku 69 persona kanë humbur jetën. Në po të njëjtën periudhë kohore në total kanë ndodhur 10.355 aksidente trafiku dhe janë shqiptuar 283.090 tiketa trafiku, raporton “Zëri”.

Mirëpo, duke i krahasuar këto shifra me tetë muajt e vitit të kaluar, numri i aksidenteve ndonëse vazhdon të jetë alarmues, ka rënë, njofton Policia.

Ndërsa sipas Policisë dhe njohësve të çështjeve të komunikacionit në vend, shpejtësia e madhe, përkatësisht mospërshtatja e shpejtësisë me kushtet e trafikut, është njëri ndër faktorët kyçë që ka çuar në numrin kaq të lartë të aksidenteve, shkruan sot Gazeta “Zëri”.