Anulohet tenderi 110 milionësh i Pal Lekajt

Kontrata për ndërtimin e autostradës Banullë – Dheu i Bardhë që ishte iniciuar në kohën e ministrit Pal Lekaj është anuluar.

Ky anulim është bërë me vendim të sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Ambientit, Izedin Bytyqi.

“Nga shkresat e lëndës vërehet se Deklarata e Disponueshmerisë së mjeteve e nënshkruar nga Zyrtari Kryesor Financiar nuk ka mbulesë buxhetore, sepse me këtë projekt nuk ka pasur mbulesë buxhetore në datën e nënshkrimit për vitin buxhetor 2019, në ndërkohë që buxheti i vitit 2020, ende nuk është aprovuar nga Kuvendi i Kosovës dhe më shumë është bazuar në kërkesën buxhetore e cila nuk krijon siguri se do të aprovohet nga Ministria e Financave, Qeveria dhe në fund Kuvendi i Republikës së Kosovës”, thuhet në shkresën zyrtare të Ministrisë.

Lidhur me këtë ka njoftuar edhe Ministri i Infrastrukturës, Lumir Abdixhiku, i cili tha se projekti i autostradës do të vazhdojë.

“Qeveria e re i siguron banorët e Anamoravës se projekti i autostradës Prishtinë-Gjilan vazhdon. Është prioritet i programit tonë. Javën që vjen do t’i vizitoj punimet e deritanishme që duket se kanë mbetur prapa në kohë. Do t’i japim ritëm të ri”, shkroi Abdixhiku.

Ministri i Infrastrukturës dhe Ambientit, Lumir Abdixhiku në një konferencë për media javë më parë ka thënë se kanë filluar procedurat për anulimin e tenderit 110.6 milionë euro për ndërtimin e autostradës Banullë – Dheu i Bardhë që ishte iniciuar në kohën e ministrit Pal Lekaj.

Po ashtu, ministri Abdixhiku ka shtuar se Qeveria e tanishme do t’i shqyrtojë të gjitha vendimet e marra nga Qeveria e kaluar që nuk kanë pasur bazë ligjore./Kallxo.com/.