Apeli i Gjykatës Speciale merr vendim pë kërkesën e Thaçit për lirim nga paraburgimi

Paneli i Apelit të Dhomave të Specializuara sot ka hedhur poshtë kërkesën e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit, për lirimin nga paraburgimi.

Paneli i Apelit në vendimin prej 70 pikave ka arsyetuar pse e hodhi poshtë mocionin e Thaçit për ndërprerjen e paraburgimit.

Në pikën e 40 të këtij vendimi thuhet se Thaçi nuk ka mundur të argumentojë se si gjyqtari i procedurës paraprake nuk është angazhuar në vlerësimin e cilësisë së provave të zbuluara nga ZPS-ja.

Ndërsa në pikën e 42 të këtij vendimi thuhet se Thaçi nuk ka mundur të argumentojë se si gjyqtari i procedurës paraprake  mendon se Thaçi me ndikimin e tij do të mund të pengojë këtë proces.

Paneli i Apelit ka gjetur se gjyqtari i procedurës paraprake nuk ka bërë asnjë gabim në caktimin e paraburgimit.

Në pikën e 50 të këtij vendimi paneli ka arsyetuar faktorët e gjetur nga gjykatësi i procedurës paraprake për mbajtjen e Thaçit në paraburgim për një kohë të arsyeshme.

Sipas kësaj pike është cekur se Thaçi po akuzohet për një sërë akuzash që kanë të bëjnë me krimet e luftës dhe të gjithë hapat paraproceduralë do të merren për gjykimin final e  po ashtu në këtë pikë thuhet se zgjatja e afateve procedurale po bëhet me kërkesën e Thaçit dhe ZPS-së.

Tutje  në pikën e 52 të këtij vendimi thuhet se Thaçi dështuar të argumentojë  pse vendimi i gjyqtarit të procedurës paraprake për vazhdimin e paraburgimit është i gabuar.

Në pikën e 69 të vendimit thuhet se Apeli nuk ka gjetur se gjyqtari i procedurës paraprake ka vlerësuar gabimisht kushtet e lirimit nga paraburgimi ose ka shpërdorur diskrecionin e tij për vazhdimin e paraburgimit.

Aktakuza ndaj katër krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi, ishte konfirmuar më 26 tetor 2020.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi po akuzohen se si drejtues të UÇK-së kishin kryer krime kundër njerëzimit gjatë luftës në Kosovë.

Për këto akuza ata po mbahen në paraburgim prej momentit kur ishin arrestuar në Kosovë.