Apostolova: Duhet të përqendroheni në reformat e vërteta

Shefja e Zyrës së BE-së, Nataliya Apostolova, e quajti fatkeqësi faktin që pas publikimit të raportit të Komisionit Evropian për Kosovën, gjithë opinioni publik u fokusua te çështja e liberalizimit të vizave për kosovarët. Ajo bëri thirrje që të ketë më shumë fokus tek reformat që janë parashtruar për t’u bërë në raport.

“Mendoj se ka ardhur koha që t’i marrim rekomandimet dhe rrugën se si po ecim përpara, në një mënyrë më ndryshe. Para se gjithash, nuk duhet të dekurajohemi nga çështjet politike të cilat nuk janë në dorën e Kosovës. Duhet të përqendroheni në reformat e vërteta, sepse këto reforma, në fund të ditës janë për ju, për qytetarët e Kosovës”, tha Apostolova.

Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GSJP), ka mbajtur tryezën me temën “Të rikujtojmë të dukshmen: Raporti i Komisionit Evropian për Kosovën”, me të ftuar ministren e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha dhe shefen e Zyrës së Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë, Nataliya Apostolova.

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, tha se po bëjnë përpjekje që procesi i integrimit evropian të jetë më gjithëpërfshirës, ndërsa theksoi se institucionet e Kosovës kanë filluar qysh dje, pas pranimit të raportit, me veprime.

“Pra, është me rëndësi që të fokusohemi tek rekomandimet që dalin nga ky raport dhe t’i marrim ato si një udhërrëfyes se ku dhe çka duhet të bëjmë dhe në çfarë afate kohore duhet t’i bëjmë ato. Dhe, posaqërisht prioritet jemi duke u dhënë rekomandimeve që përsëriten”, tha Hoxha.

Drejtoresha Ekzekutive e Grupit për Studime Juridike dhe Politike, Arbëresha Loxha, tha se integrimi evropian në Kosovë është ende sipërfaqësor, teksa theksoi se elita politike e vendit ka dështuar t’i përmbahet axhendës evropiane, raporton Anadolu Agency (AA).

Loxha tregoi se në raportin e publikuar të enjten, GSJP i rekomandon Kuvendit të ndërmerr hapa për votimin e Ligjit për Qeverinë, në mënyrë që të zvogëlohet numri i ministrave dhe zëvendësministrave në Qeveri, gjë që ishte theksuar si shqetësuese edhe nga raporti i KE-së.

Në raportin e publikuar nga Komisioni Evropian, u bë e ditur se Kosova ka shënuar progres në zbatimin e disa reformave kryesore të lidhura me BE-në, veçanërisht në lidhje me përmirësimin e sundimit të ligjit dhe administratës publike. Por, raporti përmendi edhe disa vërejtje, përfshirë situatën sfiduese në veri të Kosovës si dhe taksën 100 për qind për produktet e Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës si problematikë për bashkëpunim rajonal. /Anadolu Agency/