Arabia Saudite akuzon Iranin për sulmet ndaj stacioneve të naftës

Arabia Saudite në një letër dërguar Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (KS-OKB) thotë se Irani dhe Huthitë në Jemen janë përgjegjës për sulmet e djeshme ndaj stacioneve të pompimit të naftës në vend, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas mediave saudite përfaqësuesi përhershëm i Arabisë Saudite në OKB, Abdallah Y. al-Mouallimi i ka dërguar një letër KS-OKB-së ku thuhet se “Irani dhe Huthitë e mbështetur prej tij janë përgjegjës për sulmet e kryera dje ndaj stacioneve të naftës në vend”.

Në të njëjtën një letër e përbashkët nga Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) i është dërguar KS-OKB-së dhe Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Antonio Guterres në lidhje me sulmin dhe sabotimin që kishte në objektiv 4 anijet në afërsi të ujërave territoriale të EBA-ve.

Në kanalin e televizionit Al-Masirah, që kontrollohet nga Huthit, ishte pretenduar se rebelët kanë kryer shtatë sulme ajrore mbi stacionet e naftës në Arabinë Saudite, që u konfirmua edhe nga ministri saudit al-Falih.

Ministri saudit i Energjisë, Khalid al-Falih, ka deklaruar se dronët e armatosur kanë kryer sulme ndaj dy stacioneve të pompimit të naftës në Arabinë Saudite të cilët transportojnë naftën nga rezervat në rajonin lindor të vendit në portin në bregdetin perëndimor.

Falih gjithashtu mbrëmjen e së dielës njoftoi se në afërsi të ujërave territoriale të EBA-ve ishte kryer një sabotim ndaj çisternës së naftës së Arabisë Saudite. Gjithashtu edhe EBA-të bënë të ditur se në po të njëjtën zonë ishin përballur me sabotim 4 anijet e saj transportuese civile nga vende të ndryshme. /Anadolu Agency/