Arben Zharku tregon arsyen e pezullimit nga detyra e drejtorit të QKK

Komisioni disiplinor i Ministrisë së Kulturës ka pezulluar drejtorin e QKK (Qendrës Kinematografike të Kosovës), Arben Zharku nga detyra e tij.

Këtë e ka konfirmuar për Demokracia.com vetë Zharku i cili tha se kjo ka ndodhur pas disa ankesave që janë bërë vazhdimisht.

“Po është e vërtetë se jam pezulluar. Komisioni disiplinor është duke i shqyrtuar disa ankesa nga komuniteti të cilat kanë ardhur vazhdimisht, në mënyrë që të sqarohet gjithçka.”, ka thënë Zharku për Demokracia.com.

Ai tutje ka shtuar se kjo është një procedurë normale dhe këto ankesa do të shqyrtohen nga ekspertë.

“Në procedurë normale në kohën kur është duke u shqyrtuar puna ime, duhet të pezullohem. Duhet të bëhet një komision i ekspertëve të cilët i trajtojnë të gjitha ankesat dhe ata kur të përfundojnë punën e tyre dalin me një raport dhe tregojnë nëse ka pasur ndonjë parregullsi”, ka përfunduar Zharku.

Deri në publikimin e këtij raporti Arben Zharku do të jetë i pezulluar. /Demokracia.com/